Kush është kryetar i PS, Rama apo Blushi?

Ditën kur Edi Rama u mundua të nisë një kryqëzatë për blerje votash parlamentare e bllokim zgjedhjesh presidenciale, Ben Blushi shfaqet paralelisht në televizion dhe vetëshpallet si një faktor partiak që s’duhet neglizhuar. Ai i prishi skemën kreut të partisë dhe duke e nxitur drejt një politike destabilizuese, u vetëkandidua si një autoritet që do kërkojë hipotekën e drejtimit të PS, sapo të vijë humbja e radhës e kryetarit-kujdestar të opozitës
Dalja e djeshme justifikuese e Edi Ramës, pas takimit të dyfishtë me kreun e LSI-së Ilir Meta, të cilin për 3 vite me radhë e kishte konsideruar si njëra nga të këqijat më të mëdha të vendit, s’ka errësuar dot një goditje të ulët poshtë brezit që Ben Blushi i ka bërë kryetarit të partisë së tij. Paralelisht me intervistën e vështirë të Ramës, ku u tentua e pamundura, që të mbyllej e gjithë historia e sulmeve 3-vjeçare ndaj Metës, nën përkundjen e ëndrrës për kryeministër, Ben Blushi ka konkurruar kryetarin e tij në një bashkëbisedim të gjatë me gazetës në emisionin Fakt tek UTV, duke i marrë jo veç pjesë të vëmendjes mediatike, por edhe duke u vetëkandiduar si një faktor që s’duhet lënë mënjanë. Intervista e Blushit s’ka pasur asgjë të re dhe në këndvështrimin e disiplinës partiake ka qenë politikisht korrekte, por ajo e kreu detyrën e saj qysh në fillim, teksa i konfirmoi karshillëkun. Rehabilitimi i vështirë i Ben Blushit, pas lëvizjes që ai inicoi në 2009-n për marrjen e drejtimit të partisë, ka kaluar nga internimi prej Korçës në Berat, si “i deleguar i Qendrës”, por edhe nga kafetë publike që i jepnin publikut idenë se Blushi ishte futur në rresht.
Por mbrëmë s’ka qenë kështu. Blushi ka konfirmuar autonominë e vet dhe vendosmërinë për të qenë si zgjedhja e parë në epokën pasRama, e cila pritet të vijë pas zgjedhjeve të 2013-s. Edhe lajtmotivi i intervistës “Rama me Metën, a ndihet Blushi i rrezikuar” ka sqaruar kimizmin e vështirë mes dy politikanëve të PS-së, të cilët s’do t’i kenë të thjeshta ekuilibrat, nëse ndodh plazmimi i një koalicioni me LSI-në. “Ne jemi gati të bashkojmë votat me këdo për të mbrojtur presidencën nga Sali Berisha” ka qenë justifikimi për moralin që ka ofruar Ben Blushi, duke nxitur Edi Ramën të kërkojë një martesë të pamundur e me cene të mëdha morali me Ilir Metën. Tronditja tek forumet socialiste lidhur me darkën e Edi Ramës në Gjirin e Lalzit po paraqitet si një ingredient që veç sa krijon instabilitet tek Grupi Parlamentar i PS-së dhe Ben Blushi, duke u shfaqur formalisht si mbështetës i konsultimeve, rikonfirmohet paralelisht me kryetarin e partisë si një faktor politik që duhet të merret në konsideratë, pas zgjedhjeve presidenciale. Ben Blushi mbrëmë tentoi të shfaqej si një faktor politik e parlamentar, bash njëri nga faktorët për të cilët flet edhe kryeministri Sali Berisha në deklaratën e tij, pas takimit me të vetëofruarin si kandidat për president, Fatos Nano.
Dje Ben Blushi bëri një deklaratë të qartë autonomie, m’u në sektorin ku Edi Rama ndihet më i fortë, në atë të opinionit publik, duke ngritur një kambanë tjetër alarmi për selinë e PS-së. Në përpjekje për të bërë proselitizëm në radhët e mazhorancës, Edi Rama ka kuptuar mbrëmë se s’i ka mirë punët as brenda grupit të tij parlamentar, bile i ka aq keq, sa në njërin nga momentet më të rëndësishme të tij mediatike, ai i dha opinionit dilemën: “Kush është kryetar i PS-së, Rama apo Blushi?
Re.po