E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullizmi në shkolla, sfidë në rritje, aktivitet ndërgjegjësues në Gjirokastër

Rritja e rasteve të bullizmit në shkolla, veçanërisht mes fëmijëve, mbetet një shqetësim serioz për shoqërinë. Për të adresuar këtë fenomen dhe për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet, në Gjirokastër u organizua një aktivitet sensibilizues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore. Sipas specialistëve, bullizmi shfaqet në forma të ndryshme, duke filluar nga dhuna verbale dhe fizike, deri te përjashtimi social. 

“Rastet janë të njëpasnjëshme. Prindërit, shkollat, psikologët, punonjësit social bëjnë referime pranë nesh dhe ne për t’i dhënë mbrojtje dhe për të mos pasur cenimin e të drejtës së fëmijës, ne i ofrojmë mbështetjen e duhur nga të gjitha institucionet përkatëse”, deklaroi Ismihan Rabaj, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Bashkia Gjirokastër.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile u ndalën te roli i komunitetit në krijimin e një mjedisi të sigurt për fëmijët.

“Është një problem shumë serioz. Shkolla, komuniteti i cili nëpërmjet një programi aktivitetesh do mundohemi t’i afrohemi këtij problem dhe do mundohemi me gjithë fuqinë që kërkon ky fenomen sepse siç dimë bullizmi nis me diçka të thjeshtë, të vogël dhe në fund përfundon me pasoja shumë të rrezikshme”, Engjell Seriani Kryetari i Shoqatës “Qendra Kulturore Mediatike Antigone”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të një qasjeje më të gjerë që lidhet me policimin në komunitet, duke synuar rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve, si dhe ndërtimin e një klime më të shëndetshme në institucionet arsimore.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›