Turizmi po gjallëron jetën në Dajç, banorët tregojnë për rritjen e interesit ndaj zonës

Fshati Dajç, pjesë e bashkisë Shkodër, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion i veçantë për turizmin natyror.
I shtrirë pranë brigjeve të lumit Buna, ky fshat ofron një peizazh mbresëlënës, ku gjelbërimi i pasur ndërthuret me qetësinë dhe ajrin e pastër, duke krijuar një ambient ideal për pushuesit që kërkojnë largimin nga zhurma e qytetit. Banorët vendas tregojnë se interesi i turistëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Një nga veçoritë që e dallon këtë zonë është edhe tradita në kultivimin e bimëve dekorative, çka i ka dhënë edhe nofkën “Pistoia e dytë”, duke e krahasuar me qytetin italian të njohur për këtë sektor.
Zhvillimi i turizmit ka nxitur hapjen e bizneseve të reja, veçanërisht në fushën e agroturizmit dhe shërbimeve për vizitorët. Kjo ka sjellë edhe mundësi të reja punësimi dhe ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale. Falë potencialit të madh natyror dhe zhvillimeve të fundit, Dajçi pritet të kthehet në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në veriun e Shqipërisë, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë në të ardhmen.
/RTSH/