Bulqizë- Vijojnë protestat, minatorët kërcënojnë me grevë urie
Bulqizë- Me dhjetra minatorë në minierën e Bulqizës kanë paralajmëruar futjen në grevë urie nëse nuk zgjidhet konflikti me kompaninë CR.
Sot ata kanë hyrë në ditën e gjashtë të protestës, ndërsa shprehen se kjo kompani ka shkelur marrveshjen me kompaninë “Turalba”, e cila është firmosur edhe nga METE, dhe sipas saj minatorët duhej të vazhdonim punën në Zonën D të minierës.
Në sajë të marrveshjes puna do të niste pas rikonstruksionit të galerisë, dhe sipas minatorëve kushtet për rinisjen e punimeve janë plotësuar, por ata nuk lejohen të kthehen në punë.
Rinisja e punës së minatorëve, vijon të mbahet peng nga ACR-ja, pasi ajo pretendon se që më datën 3 gusht e ka prishur kontratën nënkontraktuale me firmën turke Turalba për shfrytëzimin e këtyre galerive.
Ndërkohë kompania turke Turalba pretendon se ka kontratë të rregullt plotësisht ligjore për shfrytëzimin e tyre. Në lidhje me bllokimin e punës në galeritë e zonës D, ka reaguar gjatë ditës së sotme edhe kryetari i Konfederatës Sindikaliste të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci, i cili ka mbështetur protestën e minatoreve dhe ka paralajmëruar se deri të mërkurën e javës së ardhshme nëse problemi i zhbllokimit të punës për minatorët nuk do të marrë zgjidhje, protestat do të përshkallezohen edhe me tej.
Ndër të tjera ai kërkoi të dy firmave që të zgjidhet problemi mes palëve për të mos mbajtur peng minatoret pa punë. Koleci i bëri thirrje edhe Ministrisë së Energjitikes që të rishikojë licensat e dhëna pasi këto licensa janë dhënë në favor të pushtetarëve duke u bërë palë me korrupsionin që po bëhet në minierën e Bulqizës.
/IDEA/