Arratisja, i dënuari shqiptar rrëmbëhet nga duart e gardianëve
Greqi- Të burgosurit shqiptarë shënojnë një tjetër rekord arratisjesh. Një i dënuar me 20 vjet burg është rrëmbyer prej personave të panjohur në qytetin Nafplio të Greqisë.
Ngjarja e pazakontë ndodhi rreth orës 11:00 të paradites të së hënës në oborrin e spitalit të këtij qyteti, në kohën kur 40-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, po dërgohej për kurim.
Policia thotë se dy persona të cilët mbanin në duar kallashnikovë kërcënuan gardianët dhe nën kërcënimin e armëve morën me forcë të dënuarin. Shqiptari rezulton të jetë i dënuar me 20 vjet heqje lirie për grabitje me armë.
Sipas policisë, ende nuk është e qartë nëse rasti konsiderohet arratisje apo pengmarrje, pasi sipas gardianëve 40-vjeçari u mor me dhunë nga personat e panjohur.
Forca të shumta policie kanë filluar një operacion për gjetjen e të dyshuarve, të cilët sipas dëshmitarëve janë larguar në bordin e një Audi në drejtim të pa ditur. Nëse bëhet fjalë për rrëmbim personi atëherë ky do të jetë rasti i parë në Europe ku një i dënuar sekuestrohet prej keqbërësve në shoqërinë e policëve të armatosur.
/IDEA/