Panariti në Kinë: Të forcojmë bashkëpunim ekonomik
Kinë- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Kinë, ku dhe është pritur nga zv/kryeminitri kinez, Li Keqiang.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ- së, në takimin e zvilluar mes tyre është vlerësuar bashkëpunimi i ngushtë ekonomik shqiptaro- kinez. Gjatë bisedës ministri Panariti u ndal në mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bashkëpunim në fushën ekonomike, por dhe në fusha të tjera, si në kulturë, arsim, etj.
Integrimi i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE, stabiliteti i tyre politik dhe ekonomik, krijon tashmë një klimë tepër inkurajuese edhe në drejtim të integrimit të mëtejshëm të tregjeve tona, si tregje aktivë për të gjitha investimet e huaja, konkretisht dhe për ato kineze,- deklaroi Panariti.
Duke u ndalur në platformën e qeverisë kineze për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të shprehura në takimin e nivelit të lartë në Varshavë, që u mbajt në prill të këtij viti, Ministri Panariti theksoi se qeveria shqiptare është duke u përgatitur seriozisht për ti paraqitur palës kineze propozime dhe projekte konkrete, realizimi i të cilave do të ketë interes madhor për zhvillimin e vendit. Në këtë kuadër, ai e vuri theksin në ato fusha me interes për investimet kineze, si në energjitikë, miniera, turizëm, infrastrukturë etj., dhe se qeveria shqiptare ka krijuar për këtë të gjitha lehtësitë e nevojshme.
Zëvendëskryeministri kinez vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve dhe nënvizoi se Kina e Shqipëria duhet të zhvillojnë me përparësi marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe në mënyrë të vecantë ato në fushën ekonomike, duke shtuar se Qeveria kineze do të tregojë kujdes, duke krijuar më shumë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu se, Qeveria Kineze në të njëjtën kohë do të përkrahë kompanitë kineze të njohura, që të shfrytëzojnë të gjitha potencialet që ofron aktualisht ekonomia shqiptare.
/IDEA/