E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, Berisha u premton minatorëve: Mosha e pensionit deri 55-vjeç

BULQIZË- “Rruga e Arbërit është projekti më madhor, së bashku me boshtin e jugut, e cila do të përurohet gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm”, deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha. Në mitingun elektoral në qytetin e Bulqizës, lideri i Partisë Demokratike u premtoi minatorëve të Bulqizës, se një nga aktet e para gjatë mandatit të ardhshëm, do të jetë mosha e pensionit deri 55 vjeç.

Kreu i ekzekutivit u ndal edhe në investimet e realizuara gjatë këtyre viteve në rrethin e Bulqizës, sikurse, ndërtimi dhe rindërtimi i 16 shkollave, 19 ujësjellësa, rrugë kombëtare dhe rurale, nga Klosi deri në Trebishtë, në kufi me Librazhdin, ndërsa shtoi se janë mbi 100 km rrugë të reja të ndërtuara në rrethin tuaj.

“Në rrethin tuaj, pothuajse është kompletuar përfundimisht Rruga e Arbërit dhe unë jam sot këtu, për t'u dhënë fjalën se Rruga e Arbërit është projekti ynë më madhor, së bashku me Boshtin e Jugut, ne do ta bëjmë shumë shpejt realitet për ju”.

Duke e cilësuar Rrugën e Arbërit, si rrugën e dytë të Kombit, Berisha bëri të ditur se “po punohet drejt Urës së Vashës, nga Tirana drejt tunelit të Qafë Murrizit dhe ajo përbën zotimin tonë solemn.Ne do ta ndërtojmë atë brenda dy viteve të para të mandatit tonë”.

Shefi i qeverisë tha se, “ndryshimet pozitive të mëdha kanë ndodhur në minierat e Bulqizës. Do të fillojë punën fabrika e pasurimit si dhe pusi i thellë që garanton minierën dhe për 100 vite të tjera”. Sipas tij, do të kishim dashur që këto zhvillime të kishin ndodhur më parë por ju garantoj se ritmi i tyre nuk ka të ndalur dhe Bulqiza do të jetë përsëri një nga minierat më të rëndësishme në Evropë dhe botë për nxjerrjen e kromit.

Duke ftuar banorët e këtij rrethi që të votojnë për kandidatët e PD-së për deputet, Kryeministri u shpreh se së bashku me deputetët e këtij rrethi, në 4 vitet që vijnë, do të asfaltojmë çdo rrugë, në çdo skaj të këtij rrethi, do të ndërtojmë çdo ujësjellës dhe kanalizime për të gjitha fshatrat e këtij rrethi".
Kreu i PD-së tha se kjo është alternativa jonë ndërsa alternativa tjetër është e ajo e bllokimit.

Ju bëj thirrje të gjithë banorëve të këtij rrethi, të qarkut të Dibrës dhe mbarë shqiptarëve, le të shtrojmë së bashku disa pyetje nga ky shesh: Z.Rama, kur ne anëtarësoheshim në NATO, ti protestoje në Tiranë, e bërë këtë për interesin e shqiptarëve apo të tjetërkujt? Kur ne përpiqeshim të hiqnim vizat, ti ngrite çadrat para kryeministrisë, organizove protestat në mbarë Shqipërinë, e bërë këtë për interes të qytetarëve shqiptarë apo të tjetërkujt? Dje parlamenti votoi tre ligje që prisnin në axhendën e parlamentit nga 1 janari i vitit 2012 deri ditën e djeshme, a mund t’u shpjegosh shqiptarëve për interes të kujt i votove ato ligje?”, u shpreh Berisha.

Por, tha Kryeministri, “se shqiptarët do të bëjnë gjithçka për të vizituar Amerikën dhe për ta ndërtuar Shqipërinë, për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend. Ndaj dhe ju ftoj të ecim. Rruga jonë nuk ka qenë pa vështirësi por ka qenë rrugë e suksesshme e ndryshimeve të mëdha. Çdo shqiptar, ka firmën e anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave, ka firmën në rritjen ekonomike të vendit dhe ndërtimin e inftrastrukturës".

"Ndaj ju ftoj, që të ecim së bashku drejt anëtarësimit në BE, përpara drejt punësimit, rritjes së rrogave dhe pensioneve, drejt mirëqënies dhe drejt të ardhmes që meritoni", përfundoi Kryeministri Berisha.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›