E Shtunë, 31 Tetor 2026

1020 sekonda, anatomia e kumtit njerëzor

TIRANË- Në se një vepër arti nuk ushqen qoftë edhe një damar në jetën e qenies në botë, ajo mund të jetë çfarëdo, por jo krijim. E për t’i ushqyer këto damarë është orvatur edhe autorja e instilacionit dhe performancës së mbrëmjes së djeshme në Galerinë e Artit Alternativ "Tirana Ekspres", ku ka pasur autencitet "një lojë" pa rregulla të fshehura.

Autorja Helona Ruli ka sjellë 17 minuta performancë për të pranishmit, për ti rrëfyer përmes artit e njëherazi për të ardhur në vete nga anestezia e normales; apo siç e quan ajo "pa 1020 sekondat-gjilpërë, që na injektojnë pa pushim këtë anestezi".

Jemi ne të gjithë bashkudhëtarë të autores Ruli, që performoi para një auditori modest në mjediset e "Tirana Ekspres", por tejet entuziast, ku të gjithë pak a shumë përfshihemi nga ngërçet e lirisë krijuese të rrethanave, ku për shkak të diktateve të ndryshme shoqërore, ato përbëjnë një bllokim për artistin, apo për ata që kanë një shpirt të tillë.

Sipas kësaj performance të titulluar "Anatomia e (a)normales", "shqetësimi për të cilin është fjala, ka të bëjë me trysninë e zhurmave në bymim e sipër që na shoqërojnë me ngulm në ditët dhe netët tona", ndërsa autorët e performancës dhe kuratori Edison Ceraj ka hedhur "përgjegjësinë mbi strukturat e caktuara shtetërore apo lokale që duhet të marrin përsipër përgjegjësinë që u takon në zgjidhjen apo zvogëlimin e zhurmave.
Në fakt, aty s’bëhej fjalë veçse për zhurmë, por në një mori shumëdimensionale autorja ka dashur të shpalosë njëherazi dinamikën e subjektit në atë karrige të ulur për 1020 sekonda, e rrethuar me copëza pasqyrash, një zë e zhurma të frikshme në sfond të sintetizuara në atë që na kujton vlerat dhe antivlerat, artistiken dhe pseudo-artistiken "të cilat nuk mund të vënë kurorë bashkë".
Autorja Ruli ka përzgjedhur formën më të lartë të komunikimit përmes gjuhës së trupit me anë të heshtjes, në një qëndrim sy më sy me publikun, "duke marrë me mend që fjala, apo zëri i sopranos në kontekst, shndërrohet si me shkop magjik në pjesë të këtij realiteti, në kulturë në se doni, për t’u përthithur kështu nga centrifuga, e cila përpunon me gjakftohtësi për të nxjerrë prej andej normalen e shenjtë të kohës, ose atë që njihet si Status Quo", rrëfen Ceraj mbi performancën e autores, Helona Ruli.

Performanca e veçantë artistike e titulluar "Anatomia e (a)normales", është realizuar me sound art nga Ilir Lluka dhe foto të Albes Fushës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›