E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Balla: Lirimi i 3 gjeneralëve, guxuan të denoncojnë abuzimet e Imamit

TIRANE- Deputeti i PS-së Taulant Balla ka reaguar sot pas lirimit nga detyra të tre gjeneralëve, ndërsa nuk nguron të shprehet se arsyeja e vërtetë e lirimit të tyre është se kanë guxuar të denoncojnë abuzimet e skandalet e Ministrit Imami dhe kupolës drejtuese të FA.

“Prej kohësh Partia Socialiste ka denoncuar skandalet që kanë ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me Forcat e Armatosura nën ministrin Arben Imami. Kemi denoncuar procesin korruptiv të shitjes së pronave të ushtrisë, skandalin e përgjimeve, trafikun e armëve drejt regjimeve diktatoriale si ai i Jemenit apo tek Gadafi. Sot kësaj dosje iu shtuan fakte të reja pas denoncimit të gjeneralëve të nxjerrë në lirim me firmën e kapterit që ka vënë Saliu për President të Republikës. Gjenerali Brigade Dhori Spirollari, i liruar nga posti i komandantit të Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Abaz Lleshi, i liruar nga posti i Komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, dhe Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, i liruar nga posti i Zëvendësshefit të Shtabit te Përgjithshëm të FA që bënë sot publike një sërë skandalesh e abuzimesh, që tanimë e bëjnë të qartë për të gjithë shqiptarët përse Ben Imami dhe Sali Berisha e refuzuan në mënyrë krejtësisht antikushtetuese e antiligjore kontrollin parlamentar në ministrinë e mbrojtjes. Kapteri president i liroi të tre gjeneralët nga detyra me një dokument që ngjan më tepër me një letër bakalli pa ofruar asnjë lloj argumenti. Ky është turpi i radhës i një presidenti kukull, i vënë atë post thjesht e vetëm për të firmosur e vulosur abuzimet e Kryeministrit në ikje. Arsyeja e vërtetë për lirimin e gjeneralëve në fakt nuk ka të bëjë as me ligjin, e as me kushtetutën por me faktin që të 3 gjeneralët në fjalë kanë guxuar të denoncojnë abuzimet e skandalet e Ministrit Imami dhe kupolës drejtuese të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Arben Imamit”, shprehet Balla.

Sipas tij, Partia Socialiste është zotuar përpara qytetarëve shqiptarë se do të hetojë e do të zbardhë një më një të gjitha shkeljet e abuzimet në këtë ministri.

“Do të hetojmë përgjimet e paligjshme të ministrit Imami, do të hetojmë trafikimin e armëve, do të hetojmë shitjen e pronave të ushtrisë, do të hetojmë milionat me të cilat ministri Imami po konkurron kompanitë e telefonisë celulare për reklama në mediat e pushtetit, por do të hetojmë edhe denoncimet që u bënë sot publike nga 3 gjeneralët e liruar duke nisur që nga shpërdorimi i Forcave të Armatosura, i burimeve të tyre materiale e njerëzore për të kryer punë private apo për të ndihmuar ministrin Imami në fushatë”, tha ai më tej.

Deputeti Balla shtoi se, pas 23 qershorit, qeveria e Partisë Socialiste do të bëjë transparencë të plotë për të gjitha këto abuzime e shkelje dhe do të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore këdo që është përfshirë në këto afera.
“Ky është angazhimi ynë përpara qytetarëve, por ky është dhe zotimi ynë për Ministrin Arben Imami, i cili do të përgjigjet për çdo qindarkë të vjedhur e për çdo ligj që ka shkelur”, shtoi ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›