E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliza, tani shtetase shqiptare

Sapo mbërriti në Shqipëri aktorja hollivudiane bëri kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Dhe që prej ditës së djeshme ajo është nënshtetase shqiptare. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ka pritur dje aktoren e mirënjohur shqiptare të Hollivudit, Eliza Dushku, e cila prej disa ditësh po zhvillon një vizitë në vendin tonë, në përpjekje të promovimit të turizmit shqiptar. Të pranishëm në takim ishin, gjithashtu, fotografi me famë botërore Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani. Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, presidenti Topi vlerësoi lart veprimtarinë artistike të Eliza Dushkut, si një ndër aktoret e reja të spikatura të kinematografisë botërore. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit Shqiptar vuri në dukje se vizita e zonjës Dushku në Shqipëri është pjesë e atij mesazhi pozitiv që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët si një popull vital, me tradita të hershme e kulturë të lashtë, me dëshirën dhe përkushtimin për të ecur përpara me vendosmëri e dinjitet.

“Ju jeni tashmë imazhi i mirë shqiptarëve, që punoni për Shqipërinë”, – iu drejtua presidenti Topi të pranishmëve në këtë takim. “Janë pikërisht këto arsye”, – u shpreh Presidenti, – “që me t’u informuar për kërkesën e zonjës Dushku për marrjen e shtetësisë shqiptare, në përmbushje të një detyrimi institucional, por në radhë të parë të një frymëzimi personal, nënshkrova dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare Eliza Dushkut”. Në vijim, Presidenti i Republikës i dorëzoi dekretin presidencial aktores së mirënjohur shqiptare të Hollivudit, e cila nga ana e saj shprehu falënderim dhe mirënjohje për pritjen nga presidenti Topi dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi kënaqësinë e veçantë për këtë nderimin nga ana e Kryetarit të Shtetit Shqiptar.

Eliza ka krijuar edhe një situatë të këndshme, kur pasi ka marrë nënshtetësinë, i ka treguar presidentit Topi tatuazhin e saj shqiponjë që ka pas qafës së saj, tatuazh të cilin Eliza e bëri në vizitën e saj të parë në Shqipëri para 6 vjetësh. Ashtu si në çdo takim të saj, edhe në pritjen në Presidencë Dushku shoqërohej nga fotografi botëror Fadil Berisha, aktori Blerim Destani dhe vëllai i saj Nic. Aktorja hollivudiane do të vijojë vizitën e saj nëpër Shqipëri, për të realizuar dokumentarin e saj për vendin e origjinës së saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›