E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, dështon takimi minatorë-zv/kryetari i Bashkisë

Takimi mes zv/kryetarit të Bashkisë së Bulqizës dhe përfaqësuesve të sindikatës, për negocimin mes minatorëve dhe kompanisë koncensionare, ka përfunduar pa rezultate konkrete. Edhe pse zv/kryetari i bashkisë, Agim Ferhati u përpoq për të vendosur urë komunikimi mes minatorëve dhe “ACR”, sërish nuk janë arritur negociata.
 

Minatorët vazhdojnë të këmbëngulin, që ata të përfaqësohen nga kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, ndërsa kjo kërkesë nuk është pranuar nga pala tjetër. Më herët, kompania koncesionare "ACR" ka ftuar të gjithë minatorët e Bulqizës për marrëveshjen e negocimit, ndërkohë që këta të fundit e kanë kundërshtuar sërish këtë ftesë. Presidentja e kompanisë "ACR", Rohtraut Skatche-Depich ka ftuar 4 përfaqësues të minatorëve për marrëveshjen e negocimit mes tyre, duke deklaruar se në bisedime nuk duhet të jenë minatorë të padëshiruar nga “ACR”.
 

Një tjetër arsye e refuzimit të kësaj ftese është edhe gjuha angleze e përdorur nga ana e pronarës së “ACR” në komunikimin me minatorët, si dhe kanë kërkuar që të përfaqësohen si një institucion. Znj. Skatche-Depich premton se përveç përmirësimit të kushteve të punës do të punohet edhe për hapjen e galerive të reja të thellësisë, një kërkesë tjetër e minatorëve kjo.
Ndërkaq minatorët kanë protestuar para zyrave të "ACR"-së dhe i kanë kërkuar pronares së "ACR", që të fillojnë bisedimet dhe të mos politizohet situata.

Nga ana tjetër edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla ka theksuar se minatorët janë të vendosur për të respektuar deri në fund ligjin, e pronarja e ACR të respektojë konventën ndërkombëtare. Minatorët janë shprehur se nuk do të lejojnë fillimin e punës në minierë pa u arritur më parë një marrëveshje me kompaninë në lidhje me kërkesat e tyre.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›