E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon shembja e ndërtimeve për Unazën e Madhe

Aksioni i nisur më 10 gusht përfundoi mbrëmjen e shkuar me shembjen e 50 ndërtesave. Një pjesë e ndërtesave ishin pa leje, ndërsa pjesa tjetër me dokumente të rregullta apo në proces regjistrimi. 

Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë nyja e pikënisjes së autostradës së re Tiranë-Elbasan, e cila më pas do të vijoi në Lundër, Mullet, Ibë, duke përshkuar Kërrabën me anë të një tuneli prej më se 2 kilometrash e duke dalë në anën tjetër në Luginën e Bradasheshit, e gjitha kjo për vetëm 25 kilometra dhe vetëm 18 minuta, "duke e bërë Elbasanin një lagje të kryeqytetit", siç edhe është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të punimeve.

Sipas projektit të Bashkisë, Unaza e Madhe do të kalojë në dy segmente kryesore. Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës.

Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-08-26 14:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›