Bulqizë, infrakt në zemër, minatorit protestues

Minatorit, 45-vjeçar Remzi Markaj, ditën e sotme i ka rënë infrakt në zemër. Minatori është dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë, ku dhe po merr ndihmën e parë mjekësore. 45-vjeçari Markaj, qëndronte jashtë mjediseve, ku po zhvillojnë grevën e urisë minatorët e Bulqizës.
Greva dhe protesta e minatorëve të Bulqizës vijon pasi ende nuk është arritur një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë “ACR”.
Kjo kompani ka deklaruar se i ka pranuar të tëra kërkesat e minatorëve, si rritjen e pagës me 20 përqind, pagesën e plotë të një muaji greve, pagën e 13-të, nisjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në minierë dhe të sigurisë në punë.
E vetmja kërkesë e pa plotësuar vijon të mbajë peng zgjidhjen e situatës në Bulqizë është largimi i drejtorit të minierës, kërkesë kjo e cila nuk pranohet nga kompania.