E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, kryepolici Premçi uzurpon kompetencat e tatimeve, paralizon eksportin e kromit

BULQIZE - Nuk kanë të sosur bëmat dhe çuditë e drejtorit të policisë së Dibrës Shemsi Premçi. Presionet dhe shantazhet e tij ndaj biznesit të ligjshëm nuk njohin kufij. Rasti më i fundit është ai i paralizimit të eksportit të kromit nga vendi ynë drejt tregjeve të huaja.

Mbrëmjen e kaluar dhjetëra forca policore të detyruara dhe urdhëruara nga kryepolici i Dibrës, Shemsi Premci bllokuan rreth 14 kamionë perafërsisht me 1000 tonë krom, që vinin nga Bulqiza drejt portit të Durrësit.

Ashtu sikurse dhe herët e tjera kur NEWS24 denoncoi një takim të Shemsi Premcit me biznese të selektuara prej tij, të mbledhura në një institucion të armatosur policor, këtë herë kryepolici i Dibrës uzurpoi kompetencat e administratës tatimore, por dhe prokurorisë dhe gjykatës.

Ai bllokoi kromin me justifikimin e mungesës së dokumentacionit ligjor dhe konkretisht peshës. Një argument ky që rrëzohet menjëherë pasi këtë të drejtë e kanë vetëm tatimet.

Kjo pasi është e pranueshme tashmë që në fletën shoqëruese të mineraleve për eksport në ato vende ku nuk ka peshore, lejohet shënimi i një peshe të përafërt të mallit, i përllogaritur përmes tonazhit të trajlerave, duke i matur afërsisht me peshën që merr një kovë fadrome.

Pesha e saktë llogaritet në mënyrë elektronike menjëherë pasi kamioni me mall hyn në portin e Durrësit me destinacion vendin eksportues. Dhe për më tepër bizneset e ligjshme të kromit kanë këmbëngulur vazhdimisht për një peshore në vendin e quajtur Qafë Buall. Për rastin konkret bëhet fjalë për një sasi 30-40 tonë krom në një maune dhe jo për 62 tonë, siç pretendon drejtori i policisë së Dibrës, Shemsi Premci.

Por në këtë rast kryepolici i Dibrës në mënyrë arbitrare uzurpoi dhe kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave. Pa asnjë lloj të drejte ai urdhëroi shkarkimin e mallit në ambientet e një subjekti privat, që merret me krom duke vënë sekuestro mbi të dhe pikërisht te fabrika private e pasurimit të kromit Bulqizë.
Kjo përbën konflikt interesi, pasi i besohet një biznesi që mund të abuzojë me kromin.

Duke qëndruar te sekuestro, kjo e drejtë i takon vetëm gjykatës pas kërkesës së prokurorisë dhe në raste tepër urgjente ose flagrance prokuroria mund të vendosë sekuestro, duke marrë më pas dhe vendimin e gjykatës. Në rastin në fjalë asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Të pyetur nga NEWS24 burime të prokurorisë së Bulqizës kanë mohuar vendimin e sekuestros mbi kromin dhe janë shprehur se nuk janë përfshirë në këtë çështje. Ky fakt të lë të kuptosh qartë se gjithçka është inicuar mbi një hakmarrje personale me synime të errëta përfitimi apo presioni të kryepolicit të Dibrës, Shemsi Premci. 

Televizioni NEWS24 ka denoncuar prej kohësh qëndrimet arbitrare dhe arrogante të drejtorit të Policisë së Dibrës, si në rastin kur ai penalizoi pa të drejtë disa titullarë të komisariateve që ka në varësi, por edhe gafat skandaloze në përpilimin e dokumenteve zyrtare, duke kujtuar këtu mungesat e pafalshme të numrave të protokollit në shkresat zyrtare, apo në rastet kur Shemsi Premci shënonte si datë 33 marsin.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera Bizneset e kromit, Policia e Qarkut, Dibër "vjedh" kompetencat e Task Force "Hakmerret" Prençi, i vë gjobë shefit të komisariatit të Bulqizës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›