E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët vazhdojnë grevën e urisë sot dita e 7-të

BULQIZE- Përshkallëzimi i grevës së urisë 1.400 metra nën tokë i 16 minatorëve të Bulqizës po sjell probleme të rënda shëndetësore ndër ta, ndërsa shprehen të vendosur të mos dalin nga greva pa plotësuar kërkesat e tyre.

Dje në ditën e 6-të të grevës së urisë, minatorët vendosën të ndërpresin çdo lloj komunikimi me sipërfaqen. Në këtë mënyrë, është ndaluar prej tyre hyrja e çdokujt, qoftë ky mjek, gazetar dhe as kolegë të tjerë të tyre.

Tre minatorë janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar. Po dje ka reaguar dhe Ministria e Ekonomisë duke deklaruar se shpreh keqardhjen për gjendjen shëndetësore të minatorëve, por problemet duhen zgjidhur me dialog.

Në kërkesat e minatorëve grevistë përfshihet rritja e pagave në masën 40 për qind, largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, si dhe përmirësim të kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Kompania ACR ka rënë dakord të plotësojë vetëm një pjesë të këtyre kërkesave.

Derir tani, kompania vazhdon të përgjigjet negativisht për kërkesat e grevistëve. Njera nga pronarët e kompanisë austriake, dr. Rohtraut Skatsche-Depisch, tha dje se "personave që kanë sulmuar fizikisht drejtuesin dhe administratorin tim, unë nuk do t'u jap kurrë mundësinë e negociatave. Të jeni të sigurt që kurrë nuk do të lejoj që përfaqësuesit e sindikatës të kërcënojnë me përmbytjen e minierës apo të kërcënojnë për të ndryshuar drejtuesin dhe administratorin tim të minierës. Ata kurrë nuk do të lejohen të ndërhyjnë në vendimet e mia". Kompania ka deklaruar se ka rënë dakord të rritë pagat, por sindikata ka ndërhyrë për të kërkuar rritje më të lartë.

Nga ana e tij Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës Sindikale Shqiptare, ka deklaruar dje, se hedh poshtë thëniet lidhur me "politizimin" e grevës. "Ne u kërkojmë këtyre zotërinjve që, përpara se të përpiqen të dizinformojnë opinionin publik, të shpjegojnë se përse paga neto mujore e një minatori punimesh në nivele e sektorë është 32.418 lekë, e një minatori shembjeje 34.845 lekë, e një mekaniku dhe saldatori nëntokë 25.311 lekë, e një manovratori nëntokë 26.041 lekë, ndërkohë që ajo e punëtorëve të stoqeve është 14.089 dhe e punëtorëve seleksionues 18.650 lekë, shifra këto, nën pagën minimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›