Thaçi: BE ta vlerësojë Kosovën njësoj si vendet e tjera aspirante për anëtarësim

EULEX: Mbështesim Qeverinë, në Kosovë do sundojë rendi dhe ligji
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur se veprimet e qeverisë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, kanë qenë dhe janë veprime kushtetuese, ligjore dhe legale. Thaçi i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e misionit të EULEX-it, Ksavier de Marnak. “Vendosja e rendit dhe e ligjit nuk është e drejtuar kundër askujt. Ajo është në interesin e qytetarëve dhe të ligjshmërisë”- ka thënë Thaçi. Kjo situatë ishte e padurueshme, vijoi ai. Ndërsa shtoi se “qytetarët atje meritojnë një jetë më normale”. “Kosova nuk ka mundur të lejojë që një pjesë e territorit të saj të mbetet vrimë e zezë. Diçka të tillë nuk mund të lejonim. Kemi arritur t’i japim fund status-quos”- ka thënë Thaçi.
Ky i fundit ka përsëritur se nuk do të ketë kthim në gjendjen e mëparshme, duke thënë se “Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në sundimin e plotë të ligjit”. Pavarësisht situatës së krijuar, Thaçi ka thënë se “Kosova ka qenë dhe është gati për dialog ndërshtetëror me Serbinë, për çështje praktike, me interes të popujve, paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë”. Në emër të Qeverisë së Kosovës, Thaçi i ka shprehur mirënjohje dhe faktorit ndërkombëtar, ndërsa misionin e EULEX-it e ka porositur se është i ftuar të funksionojë në tërë territorin e Kosovës. “Qeveria e Kosovës ka mirëpritur bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in në shërbim të sundimit të rendit dhe të ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm në një pjesë të saj”- ka thënë Thaçi.
Në anën tjetër, shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak, ka thënë se nuk do të lejohet asnjë formë e dhunës dhe e frikësimit. “E vetmja rrugë drejt gjetjes së zgjidhjes është dialogu. Përmes dialogut, dy palët mund të gjejnë zgjidhje. EULEX-i gjithmonë e ka mbështetur vendosjen e kontrollit doganor në gjithë Kosovën”- ka thënë Marnak.
“EULEX-i po punon me partnerët e vet për të luftuar kontrabandën dhe për t’iu siguruar qytetarëve një të ardhme më të mirë. EULEX-i respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”- ka thënë Marnak.
Kryeministri i Kosovës i ka ftuar qytetarët për mirëkuptim, qetësi, tolerancë dhe besim në institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Hoxhaj, Ban Ki Moon: Palët të kontribuojnë për situatën
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në New York, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për gjendjen në veri të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për paqe dhe stabilitet. Nga ana tjetër, Sekretari i OKB-së, Ban Ki Moon shprehu domosdoshmërinë për siguri në Kosovë dhe përshëndeti rolin pozitiv të KFOR-it në përmbushjen e këtij synimi. “Pavarësisht se mund të ketë ndarje brenda Këshillit të Sigurimit për çështje të caktuara lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e mbështesin stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, ka thënë Ki Moon. Duke folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka akuzuar Serbinë për krijimin e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës në 12 vitet e fundit.
“Ndërhyrja agresive e Qeverisë së Serbisë, përmes strukturave paralele në Kosovë janë pjesë e një axhende politike dhe publike e prezantuar 6 muajt e fundit nga vete presidenti Tadiç dhe gjithë zyrtaret serb për ndarje të territorit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai më tej ka deklaruar se në dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ndër çështjet urgjente, ka qenë zgjidhja e problemit të marrëdhënieve tregtare në përputhje me standardet evropiane si dhe çështja e pranimit të vulave të doganës së Kosovë nga autoritet e Serbisë.
“Meqë Serbia në këtë takim nuk mori pjesë dhe nuk ishte e gatshme që të pranojë propozimin e BE-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të respektohen masat e reciprocitetit”, ka thënë Hoxhaj.