SHBA: Borxhi, rrëzohet plani i republikanëve në Senat

Obama: Koha është e limituar, marrëveshje para 2 gushtit
Barack Obama u përpoq të fusë një notë optimizmi sot në bisedimet për shmangien e një falimentimi të Shteteve të Bashkuara, duke u shprehur se të dy partitë nuk ishin shumë larg njëra tjetrës. Dje, Senati rrëzoi me 59 vota “pro” dhe 41 kundër, një dokument të republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për rritjen e nivelit të borxhit të autorizuar dhe mori masa për të çuar më tej planin e tij, katër ditë nga data kufi e caktuar nga Thesari. Sot presidenti Obama, në një fjalim të përjavshëm në radio dhe në internet, theksoi se të dy palët “nuk janë shumë larg njëra tjetrës”. Ai theksoi nevojën e një marrëveshjeje që të ketë “mbështetjen e të dy palëve të dërguara në Kongres për të përfaqësuar popullin amerikan dhe jo vetëm një grup të një partie”. Dje, shefi i mazhorancës demokrate, Harry Reid, njoftoi se ka marrë masa pas votimit në Senat për të programuar një votim të parë këtë fundjavë në përpjekje për të arritur në miratimin e një dokumenti tjetër dhe për të përjashtuar një falimentim të vendit deri të martën. Në kuadrin e votimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Shtëpia e Bardhë përsëriti thirrjen për “kompromis” në Kongres. “Tani që kjo manovër e re politike është pas nesh, ndërkohë që koha po mbaron, shefat e Kongresit duhet të fillojnë menjëherë të punojnë së bashku për një kompromis që do të shmangë një falimentim dhe do të përcaktojë bazën e një zvogëlimi të ekuilibruar të deficitit”- deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i presidentit Obama, Jay Carney. “Pothuajse nuk kemi më kohë”, paralajmëroi Obama gjatë një interviste në televizion, duke u bërë thirrje amerikanëve “ta vazhdojnë presionin” mbi të zgjedhurit e tyre në Uashington që ata të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për krizën aktuale.
...