Bulqizë, minatorët vijojnë ditën e pestë të protestës

Minatorët e Bulqizës vijojnë ditën e pestë të protestës ndërkohë që pritet që sot rreth orës 09:00 të takohen edhe me përfaqësues të ministrisë së ekonomisë.
Dy ditë më parë këshilltari i ministrit Nasip Naço, Ervis Mëhilli deklaroi se ministria po zhvillon kontrolle në lidhje me firmën ACR e cila zhvillon aktivitetin mineral në minierën e Bulqizës, ndërsa shtoi se do të ketë edhe takime me të gjitha palët ku do të informohet me kërkesat dhe pretendimet e tyre.
Ndërkohë minatorët e minierës së Bulqizës kërcënuan se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të futeshin në grevë urie.
Minatorët e Bulqizës që prej ditës së hënë kanë nisur protestat duke kërkuar kushte më të mira pune, rritje rroge dhe ulje të moshës të daljes në pension.