E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër i vdekur në kërkim të skrapit. SHIFRA HORROR të vdekjeve nga varfëria ekstreme

Një person ka gjetur vdekjen në Pukë duke kërkuar për skrap. Varfëria ekstreme po i shtyn njerëzit në kërkim të skrapit. Por rastet e vdekjeve në kërkim të skrapit do terrorizonin çdokënd. Vetëm sivjet, në gjysëm viti, janë nëntë të vdekur. Këto janë të dhënat që vijnë nga një kërkim në arkivë.

31 janar 2011

Një 16-vjeçar nga Vlora ka gjetur vdekjen dje pasdite, teksa ishte duke mbledhur skrap në gërmadhat e vjetra të ish-fabrikës së llambave. Godina e braktisur prej vitesh ndodhet në zonën industriale në pyllin e Sodës. Ndërkaq mësohet se viktima, i identifikuar si Ilmi Canaj, punonte prej disa muajsh si hekurthyes në këto godina të vjetra. Materialet që arrinte të merrte i shiste në firmat e tregtimit të skrapit. Sipas burimeve policore dhe nga vendngjarja, dje në mesditë 16-vjeçari kishte nisur të thyente betonin e kolonave të fabrikës për të nxjerrë hekurin, por mendohet se ka thyer kolonën kryesore, çka është bërë shkak që të shembet e gjithë godina.

4 mars 2011

Nje ngjarje e rende ka tronditur qytetin e Gramshit mbremjen e se premtes. Tre te rinj kane gjetur vdekjen aksidentalisht  ne ish rezervat e shtetit ne fshatin Bratil te Komunes Kodovjat.  Shembja e taraces se godines ka zene brenda Altin Elezin 37 vjec, Nazif Bojën 22, dhe Dritan Hoxhollin 28 vjecar. Këta të fundit kanë udhëtuar drejt fshatit Bratilë me automjetin e 28 vjecarit Hoxholli. Te rinjte kishin shkuar ne keto godina te amortizuara per te vjedhur skrap.

-Armatimet dhe municionet e vjetra ushtarake vazhdojnë që të shkaktojnë viktima në të gjithë Shqipërinë. Një 17- vjeçar nga fshati Shën Mëri i Gramshit ka gjetur vdekjen dje teksa po çmontonte një predhë tokë- tokë. Një gabim i vogël dhe mbushja e predhës ka shpërthyer duke lënë të vdekur në vend 17- vjeçarin. Hysen Brahimi së bashku me babanë dhe një fqinjin e tyre kishin kohë që ushtronin këtë “profesion” duke zbërthyer predha e duke i shitur më pas për skrap. Babai i tij, Mylazim Brahimi, dhe fqinji i tyre Ledio Nasufi, për fat të mirë kanë shpëtuar vetëm me dëmtime të shumta në trup por pa rrezik për jetën. Ky i fundit është transportuar me helikopter në spitalin ushtarak në kryeqytet ku po merr ende ndihmën mjekësore.

19 mars 2011

Shkon të vjedhë, gjen vdekjen. Kështu ka ndodhur me një 26-vjeçar, i cili ka gjetur vdekjen pas kontaktit me një nga telat e tensionit të lartë, në përpjekje për të mbijetuar. Ndërsa përpiqej të siguronte skrap duke u hedhur mbi vagonin e fundit të një treni mallrash, Kujtim Kovaçi, 26 vjeç, lindur në Bizë të Tiranës dhe banues në Durrës, është prekur në qafë nga një tel i zhveshur i tensionit të lartë që ishte këputur. Treni ka qenë në lëvizje dhe ai është rrëzuar përtokë. I riu është dërguar i vdekur në spital, ku dhe ka rezultuar se shkaku i vdekjes ka qenë kontakti me rrymën elektrike. Mësohet se Kovaçi ishte i papunë. Nevoja për të jetuar dhe mbajtur familjen e kishte drejtuar për në stacionin hekurudhor të plazhit, aty ku kalojnë trenat e mallrave me skrap.

31 mars 2011

Përpiqej të çmontonte një predhë për skrap, vdes pas shpërthimit aksidental 22-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në fshatin Taç të Kolonjës. Shpërthimi i një predhe ka lënë të vdekur 22-vjeçarin Besjan Agolli, banues në këtë zonë. Policia mori njoftimin rreth orës 22:15 dhe shkoi menjëherë në vendngjarje duke nisur hetimet. Paraprakisht mendohet se viktima ka qenë duke çmontuar në mënyrë artizanale një predhë, të cilën po e mblidhte për skrap.

9 prill 2011

Një trup i pajetë, me dëmtime të rënda në fytyrë është gjetur paraditen e së shtunës, në rrënojat e një muri të shembur, në qytetin e Elbasanit.

Sipas policisë viktima, Hamit Vishja, tentoi të hapë portën e pikës së grumbullimit të skrapit, por muri mbajtës e zuri poshtë. Viktima është gjetur nga kalimtarë të rastit dhe sipas policisë, ngjarja është aksidentale.

7 korrik 2011

Gjin Muslia, 58 vjeç, nga fshati Mzi i komunës Fierzë në Pukë, ka mbetur i vdekur pasi e ka zënë soleta e një objekti, kur ai po gërmonte për të marrë hekur. Ngjarja ka ndodhur në pasditen e së mërkurës, ku 58-vjeçari ka shkuar tek ish-sektori i sharrave në këtë fshat dhe ka filluar të gërmojë në një objekt për të nxjerrë hekur dhe pastaj për ta shitur për skrap.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›