Kukës, nisin procedurat për privatizimin e pyjeve
Menjëherë pas vendimit të qeverisë për përfundimin brenda pak muajve të procesit të privatizimit të pyjeve e kullotave, drejtoria kompetente në Kukës ka diskutuar mbi zbatimin e udhëzimeve dhe hartimin e dokumentacionit. Drejtori i pyjeve, Fatmir Gjana, tha për gazetën "Shqip", se në rrethin e Kukësit do të privatizohen 30 mijë hektarë pyje, si dhe 11 mijë hektarë kullota. Ai tha gjithashtu se faza e parë kishte të bënte me kalimin e këtyre pasurive në pronësi të komunave, ndërsa do të ishin këta të fundit që do të procedonin më tej në bazë të rregullave të përcaktuara për privatizimin me shitje apo forma të tjera. Sasia e përmendur për Kukësin përbën vetëm 70 për qind të pyjeve që do të privatizohen, një pjesë e të cilave do të trajtohen si pyje komunale. Në të gjithë vendin është parashikuar të privatizohen rreth 500 mijë hektarë me pyje, ndërsa procesi duhet të përfundojë brenda vitit 2008. Në një takim të mbajtur dje në Prefekturën e Kukësit, u nënvizua fakti që vera e shkuar shënoi dëmtimin më të madh nga zjarre të ndodhur vitet e fundit në pyje, ku u dogjën rreth 2 hektarë. Kishte prej specialistëve që procesin e privatizimit e cilësuan si të vonuar, pasi "ka mbetur vetëm toka e djegur" siç thanë, por të tjerë u shprehën se gjithsesi është "më mirë vonë se kurrë".