E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, shtyhet takimi mes minatorëve dhe kompanisë ACR

Gjatë ditës së sotme, ACR ftoi minatorët e Bulqizës të zhvillonin një takim për të nisur negociatat në lidhje me shqyrtimin e kërkesave të tyre. Në ftesë thuhej se në takim do të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bashkisë së Bulqizës, ndërkohë që ritheksohej kërkesa e parë e kompanisë për mospranimin në takim të kreut të Konfederatës, Kol Nikolla, dhe kreut të Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci.

Për realizimin e këtij takimi, Këshilli i grevës së minatorëve në Bulqizë, së bashku me  Kol Nikollën dhe Taf Kolecin, vendosën të pranonin kërkesën e përfaqësuesve të ACR-së, për të zhvilluar takimin tri palësh mes minatorëve, përfaqësuesve të firmës dhe bashkisë së Bulqizës. Por takimi i shumëpritur u shty për ditën e nesërme.

Minatorët ndodhen në përfundim të ditës së 15-të të grevës së urisë. Ata kërkojnë rritje page 40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit, si dhe largimin nga detyra të administratorit të kompanisë ACR.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-08-08 19:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›