E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, minatorët: Nëse nuk zhvillohet takimi me ACR, bllokojmë aksin nacional

BULQIZE-  Greva e urisë e minatorëve të Bulqizës hyn sot në ditën e 16- të,  ndërkohë që pritet të zhvillohet sot takimi mes një përfaqësie të minatorëve dhe kompanisë koncensionare ACR.

Takimi pritet të japë një zgjidhje vendimtare rreth situatës me minatorët e ngujuar në grevë urie prej 2 javësh dhe shpëtimin e minierës, që ka shfaqur probleme të mëdha teknike.

Takimi ishte planifikuar për tu zhvilluar një ditë më parë por u shty për shkak se përfaqësuesit e kompanisë nuk ishin dakord për orarin e zhvillimit të tij, ndërsa keu i Konfederatës Sindikale të minatorëve e komentoi si "shakaja e radhës e ACR-së".

"As sot nuk ka një sinjal nëse do të zhvillohet takimi apo jo ndërsa minatorët kërcënojnë se nëse nuk do të zhvillohet sot takimi me ACR, atëherë 700 minatorë do futen në grevë dhe do bllokojmë rrugën nacionale Tiranë- Peshkopi në Qafën e Buallit”- raportoi sot në mëngjes korrespondenti i NEWS24

Ndërkohë gjëndja shëndetësore e 13 minatorëve grevistë në nivelin e 14-të nën tokë vazhdon të përkeqësohet. Mësohet se minatorët kanë probleme me mushkëritë dhe frymëmarrjen.

"5 prej grevistëve janë në gjëndje kritike. Ata vazhdojnë të trajtohen me serum dhe nuk pranojnë të largohen nga greva"- raporton NEWS24.

Reparti i Shpëtim Minierave, RISHM e varur nga Ministria e Energjitikes, Tregtise dhe Ekonomisë propozon mbylljen e përkohshme të minierës, dhe pezullimin e lejes minerare për ACR.

“Ndërprerja e punës degradon minierën, në këtë rast rrezikohet jeta e punëtorëve dhe pasuria kombëtare. Ndaj miniera e Bulqizës të mbyllet përkohësisht deri në një rehabilitim të plotë të saj”, ishin konkluzionet e dala nga mbledhja e mbrëmshme e RISHM. Propozimet e do t'i kalojnë direkt Ministrit te METE, Nasip Naco.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR. Firma ka pranuar të rrisë 20% pagat dhe të nisë investimet në minierë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›