E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqize vazhdon protesta e minatoreve

Minatorët në Bulqizë vazhdojnë protestën e tyre e cila po kap rekorde për kohën e gjatë të ndërprerjes së punës.

Drejtuesit e sindikatave që janë në krye të kësaj greve deklarojnë se kompania koncesionare ACR ka afat deri ditën e hënë për të plotësuar kërkesat e minatorëve, pas këtij afati protesta do të përshkallëzohet.

Minatorët janë vendosur përballë ambjenteve të kompanisë ACR dhe presin dita-ditës që t’i jepet zgjidhje kërkesave të tyre.

Situata ka hyrë në një ngërç për shkak se palët nuk bien dakort për detajet e firmosjes së marrëveshjes dhe jo për vetë kërkesat që minatorët paraqesin.

Pak ditë më parë në minierë ishte administratori kompanisë, i cili me gjithë përpjekjet e tij nuk mundi të bindë minatorët të ulen në bisedime.

Kompania kërkon të vendosë si kusht të panegociueshëm, përjashtimin e përfaqësuesve të sindikatave që drejtojnë grevën, ndërsa minatorët kërkojnë që në çdo marrëveshje me kompaninë të përfaqësohen nga sindikatat.

E gjitha kjo ndodh ndërkohë që kompania deklaron se ka pranuar kërkesat bazë të paraqitur nga minatorët siç janë rritja e pagës 20 përqind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›