E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, Sindikata padit firmën. ACR: Kush nuk vjen në punë përjashtohet

BULQIZE- Minatorët e Bulqizës vijuan sot protestat e tyre, ndërkohë që sindikata e minatorëve ka depozituar në gjykatë një padi kundrejt firmës koncesionare Albanian Crom “ACR” për thyerje të ligjit të grevës dhe ndërhyrje në punët e sindikatës.

Në padinë e depozituar sot, minatorët akuzojnë ACR për ndërhyrje në punët e sindikatës, për thyerje të ligjit të grevës dhe për presion dhe largim të pamotivuar nga puna të minatorëve, në bazë të neneve 182, 186, 197 të Kodit të Punës.

Padia vjen një ditë pasi kompania koncensionare ACR paralajmëroi punonjësit e minierës së Bulqizës se të hënën e 12 shtatorit, ora 7:00, do të fillojë puna në minierë, ndërsa ata që nuk paraqiten do të konsiderohen se nuk duan të punojnë më në këtë minerë, duke shpërfillur në këtë mënyrë protestat e minatorëve.

"Puna nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të biznesit të një grupi të vogël njerëzish të udhëhequr nga Kol Nikolla", - thuhej në deklaratën e ACR.

ACR shprehet se përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta. Në njoftim sqarohet që personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë për kompaninë ACR duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e ACR në Bulqizë, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.

"Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me disa modifikime si, paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme dhe e drejta për tu informuar për planet e investimeve në minierë", - deklaroi ACR.

Kompania shton gjithashtu se për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, ACR do t’u paguaj minatorëve rrogën e 13-te brenda javës së ardhshme.

Në reagimin e tij kreu i konfederatës Kol Nikollaj fton kompaninë e kromit të respektojë ligjin.

“ACR të respektojë ligjin dhe të mos përhapë informacione të rreme për publikun”, tha dje Nikollaj. Ai ka deklaruar se duhen siguruar më parë vendet e punës në minerë, pastaj të ftohen në punë minatorët. “Të garantohet kryerja e investimeve nga kompania ACR. Duhet të kryhen invesitime në nivelin 16 deri në 20 dhe të sigurohen të gjitha vendet e punës pastaj të rifillohet nga puna”, tha Nikollaj në reagimin e tij.

ACR: KUSH NUK PARAQITET NË PUNË PËRJASHTOHET
Ora 16:30 ACR i ka ripërsëritur edhe një herë minatorëve thirrjen që të hënë ti kthehen vendit të punës.

Në një njoftim zyrtat firma kocensionare ACR ka sqaruar se nëse minatorët nuk k´paraqitet në punë në fillim të kësaj jave atëherë ato nuk do jenë më pjesë e kësaj kompanie, pasi sipas saj kjo tregon vullnetin e tyre që të mos punojnë në këtë firmë.

“ACR edhe njëherë u bën thirrje minatorëve ti rikthehen punës ditën e hënë 12 shtator, ora 7.00. Punonjësit që nuk do të paraqiten në vëndet e tyre të punës do të konsiderohen se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e kompanisë ACR”,- thuhet në deklaratën e ACR.

Kompania ACR sqaron se nëse minatorët i rikthehen punës ato do përfitojnë menjëherë nga plotësimi i tri kërkesave të ryre kryesore, rritja e pagës 20%, përmisimi i kushteve të punës, investime në minierë.

“Kompania siguron minatorët që do ti rikthehen punës se do të përfitojnë menjëherë rritjen 20% të pagës, përmirësimin e kushteve të punës si edhe informacion dhe transparencë të plotë për investimet në minierë, kërkesa këto të plotësuara nga ACR që ditët e para të grevës”,- vijon deklarata e ACR-së.

Sa i përket pretendimeve të minatorëve për kushtet e dobëta të jeteesës dhe üpamundësisë së tyre për të dërguar fëmijët në shkollë, komapani thekson se do të akordojë një asistencë të vecantë për këtë arsye.

“Për të lehtësuar gjëndjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, ACR do të akordoje nje asistencë të vecantë me vlerën e 20 ditë pune si dhe do t'u paguajë minatorëve rrogën e 13-te brenda javës së ardhshme”,- thekson ACR
(s.g/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›