BE, Shqipëria, Pavarësia dhe… Fieri
Një ndërthurje problematike katërshe si kjo, është e sigurtë që nuk do të ndodhë as në 150 apo 200 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por në 100-vjetorin e Pavarësisë, saktësisht në dhjetëditëshin kulmor të festimeve, pamja më e keqe u shfaq të enjten e 15 nëntorit: opozita nuk denjoi e nuk pranoi as të diskutonte e as t’i votonte, tri ligjet e mbetura nga 12 rekomandimet e BE-së. Opozita e zbriti çështjen në një theqafje vertikale të paimagjinueshme: nga BE-ja e madhe kërkuese, te Shqipëria kandidate më afër statusit se kurrë, te shpërfillja e shenjtërisë shekullore të Pavarësisë, me një çështje vendore në qytetin e Fieri, objekt i gjyqësorit. Çdo përpjekje e sforcuar, për t’i dhënë problemit kundërkahje në ngjitje vertikale, nga Fieri, në Tiranë, te Pavarësia, deri në Bruksel, nuk merr shpjegim tjetër, përveç verbimit për pushtetin që ende nuk shihet në horizont.
Po t’i marrësh të katër hallkat vëren që: çështjen Fieri e ka gjyqësori; Tirana, domethënë Kuvendi, nuk i kalon dot tri ligjet pa votat e të dypalëve; Pavarësia nuk arrin të zbusë ndjeshmërinë e opozitës të kapluar nga “pushtet me çdo kusht” sepse, mes 100-vjetorit dhe pushtetit, përparësinë ia ka dhënë pushtetit. Atëherë mbetet pyetja: çfarë të bëjë Bashkimi Europian, të thotë jo, apo të arsyetojë faktorin brenda për brenda shqiptar?
Këqyrë nga kryeqyteti ynë, hetohen tri gjendje: Opozita shihet të ndjehet fitimtare që bllokon për të katërtin vit dhe shfaq kënaqësi të fshehur nëse Brukseli do t’i thotë “Jo” statusit. Me një përfundim të tillë, ajo mëton të nxjerrë dy përfitime: ta paraqesë fitroren bllokuese te saj në zgjedhjet e ardhshme si dështim të qeverisë dhe, po të vinte në pushtet, për herë të shënonte protagonizën, në marrjen e statusit të vendit kandidat. Pozita, që u çorr nga thirrjet e përsëritura drejtuar opozitës, për t’i votuar të tri ligjet, nuk është se nuk e mendon që, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat tani dhe jo në vitin e pestë. Shqiptarët, qofshin të djathtë a të majtë, ashtu siç donin heqjen e vizave, ashtu e dëshirojnë dhe mezi presin dhënien e statusit.
Por, problem i Shqipërisë nuk është plotësimi i 12 kushteve, sepse ky vend i zotëron këto mundësi. Ajo që e ka bërë problematike Shqipërinë përballë BE-së është politika e bojkotit dhe e bllokimit të gjatë, të gjatë sa një katërvjeçar të plotë, që nga zgjedhjet e shkuara 2009 deri në zgjedhjet e ardhshme 2013. Të gjitha bllokimet kanë qenë të pavend, të kritikueshme dhe dëmtuese, por bllokimi i të enjtes së 15 nëntorit 2012 në Kuvend, ishte aq i papërtypshëm sa që, ndërkombëtarët e zhgënjyer, edhe mund të thonë mes tyre: kjo është mënyrë e ashpër e mosdashjes së të mirës së vendit! Ky stërkëmbësh plagosës, që i vihet interesave të shqiptarëve, meriton dhe mund të të shmanget me një ndihmë ndërkombëtare: kur BE vendos rekomandime për statusin që nga Brukseli, opozita nuk mund të sajojë kushte për statusin që nga Fieri. T’i thuash apo t’i mësosh Bashkimit Europian çfarë të bëjë me satusin, mund të duket një marrëzi vetjake apo e përbashkët, por marrëzia politike bllokuese edhe përballë Brukselit që kërkon të votohen tri ligjet, SHBA-së që na mbështet tek miqtë e saj, shqiptarëve që mezi presin si asnjë popull tjetër në Gadishull, qeverisë që bën thirrje e kompromis dhe kryetares së kuvendit që u drejtohet deputetëve të opozitës me, “po ju lutem, votojini tri ligjet”, dhe opozita thotë vetëm “Jo”, ka megjithatë një zgjidhje: Bashkimi Europian ka kryer një investim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, dhe gjithë ky mund nuk duhet lejuar të nëpërkëmbet nga “çështja Fieri”, e nxjerrë nga sirtari në çasti e fundit, përllogaritur qëllimisht. Shqipëria ka punuar shumë për t’i përmbushur kushtet, edhe tri ligjet e mbetura kanë kaluar në komisionet përkatëse dhe janë të nivelit më të mirë. Shqiptarët janë mbështetësit më entuziastë të anëtarësimit të vendit, mes gjithë popujve të tjerë të Ballkanit. Kësisoj, njoftimin për dhënien e statusit, Brukseli mund ta përmbyllte duke kërkuar që, tri ligjet të votoheshin në vijim, zgjedhjet të kryhen të lira e të ndershme dhe, kushtëzimet të përcilleshin për hapjen e bisedimeve. Kjo është një praktikë që BE e ka zbatuar më shumë se në një rast në rajonin tonë. Përfitimi i statusit në 100-vjetorin e Pavarësisë, përveçse do të ishte një shpërblim për çfarë kanë bërë shqiptarët, do të ndihmonte në mënyrë të qartë, në dhënien fund të precedentit të politikës bllokuese, që është instaluar nga e majta në Shqipëri, në mënyrën më dëmtuese. Kjo lloj politike mund të shndërrohet në një lloj gripi politik, të përshtatet në të ardhmen edhe nga parti të tjera. Prandaj, marrja e statusit bëhet kumt gjithëpërfshirës: kush bllokon, dështon. Dhënia e statusit do të ishte një ndëshkim shembullor për politika bllokuese, që bien ndesh me interesat e shqiptarëve, të Shqipërisë, por edhe të politikës së Bashkimit Europian.