E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bum-i ekonomik si alibi

Me daljet e panatyrshme e të mërzitshme në publik dhe me deklaratat e përditshme, pushtetarët e sotëm rrahin ta ndërtojnë mandatin e tyre të ardhshëm mbi dy shtylla, për fat të keq, të pasigurta: ekonomia dhe reformat. Duke qenë se po afrohet me shpejtësi viti elektoral, veçanërisht shtyllës së parë, po i bëhen të gjitha shërbimet e mundshme (rëndom demagogjike).

Thuhet se Shqipëria ka bërë apo po përjeton një “bum” ekonomik; por kjo duket më shumë si një alibi, për të justifikuar atë çfarë duhej të ishte bërë. E vërteta e thjeshtë është se në ekonominë shqiptare vazhdojnë të dominojnë tregtia dhe shërbimet. Në ekonominë shqiptare vazhdon të dominojë industria realisht “më e përparuar”, ajo e emigracionit. Prodhimi vendës është ende në nivele të pakënaqshme, për më tepër, jo si duhet i inkurajuar. Më tej, midis politikave të shkruara në letër dhe deklaratave pa letër, ka një hendek të dukshëm. Një lojë e madhe është hapur me rrugët kombëtare; (për ato lokale ka ende vetëm njoftime prokurimesh). Koha që shkon, sjell për politikën dhe politikanët ditë dhe udhëtime të vështira. Fushata e ardhshme zgjedhore, do t’i gjejë ata në po ato dhiare, ku kanë qenë para disa vitesh, si edhe në po atë thatësirë dhe errësirë që (aq shumë) premtuan t’i zhbënin. Dhe ky është një ngërç tanimë 20-vjeçar.

Situata është mjaft e koklavitur veçanërisht për sa iu takon zhvillimeve ekonomike. Kanë hyrë në një rrugë pa krye të ashtuquajturat privatizimet strategjike, kur për ARMO, INSIG, etj., ka ende shumë paqartësi dhe, sidomos, zvarritje të pakuptueshme. Drejtuesit e Ministrisë së Financave shpejtuan të përshëndesin Fondin Monetar Ndërkombëtar për raportin e tij më të fundit. “PBB për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion(!) Rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë impresionuese...”, etj.

Duhet thënë thjesht se nuk ka ndodhur ndonjë çudi në këtë vendin tonë, që është mësuar të rrojë me legjenda. Ca më pak nëse bëhen krahasime me fqinjët (duke filluar nga ata më modestët). Sipas të dhënave të Institutit për Studime Ekonomike të Vienës, nga viti 2002 deri në vitin 2007, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë respektivisht: 4.3 për qind, 5.8, 6.2, 5.6 (në vitet 2004-2005, për të cilat sot flitet vetëm zi) dhe 4.9 në vitin 2006. Për vitet 2007-2008, parashikohej që rritja e PBB të jetë në shifrën 5.5 për qind. (Në këtë raport, bëhet fjalë për rritjen vjetore, secila periudhë më vete.) Por nëse ke durim të krahasosh këto të dhëna - të vendit me zhvillimet “më impresionuese” - me ato të fqinjëve të tij, mund të shohësh një rritje më bindëse tek këta “të prapambeturit”. Dhe konkretisht, për Maqedoninë, rritja e PBB nga 2002 në 2007 ka qenë respektivisht: 0.9, 2.8, 4.1, 3.8, 3.1, kurse për vitin 2008 parashikimi është për një rritje prej 7 për qind. Për Malin e Zi: 1.7, 2.4, 4.2, 4.0, 6.5, dhe parashikimi për vitet 2007-2008, 6.7 për qind. Një rritje korrekte e PBB shënohet në Slloveni, nga 3.4 deri në 5.2 për qind.

Nuk është e nevojshme pra, të përdoren mburrje tipike të kohës së shkuar dhe të veçohen e të vihen në kornizë vetëm disa nga frazat më inkurajuese të ndërkombëtarëve. Natyrshëm lind pyetja se ku është “bum-i” i Shqipërisë dhe përse ngrefoset kësisoj administrata e sotme... Nëse bëhet një pranëvënie midis këtyre realiteteve dhe shifrave që pozojnë vetë strategjitë sektoriale, mund të zbulosh lehtësisht falsitetin mbi të cilin lundron e gjithë skota e politikanëve të sotëm. Pati një rritje të natyrshme të produkteve bujqësore vendëse në periudhën e verës, që është duke shkuar.

Por hartuesit e politikave bien brenda me këmbët e veta, kur detyrohen të bëjnë krahasime, qoftë edhe me vendet në tranzicion. “Shifrat e Prodhimit të Brendshëm Agrar (në Shqipëri-shënimi ynë), janë të vogla edhe në raport me atë çfarë shpenzojnë për bujqësinë vende të tjera. Kështu, Moldavia shpenzon për bujqësinë 3 për qind të buxhetit, Serbia 2.5 për qind, Azerbajxhani 6 për qind, Armenia 9 për qind.” Vendet në zhvillim, në përgjithësi konsumojnë 6-8 për qind, ndërsa vendet e zhvilluara industriale harxhojnë midis 3 dhe 5 për qind, kur dihet që bujqësia në këto vende zë rreth 2-3 për qind (bile edhe më pak) të PBB dhe përqindja e të punësuarve në këtë sektor, shpesh vërtitet aty tek shifra 2(!) Për ta zbutur paksa këtë tablo vetëdiskretituese, hartuesit e raportit në fjalë shtojnë se “për t’u zhvilluar shpejt dhe për të reduktuar varfërinë në mënyrë të dukshme, veç kontributit në rritje të sektorit privat, edhe buxheti publik duhet të mbështesë më shumë financiarisht bujqësinë...”

Tablo më konfuze se kaq, nuk mund të gjenden askund. Këtë realitet kompleks, e përshkruajnë qartë edhe raportet e Bankës së Shqipërisë; (ai për tremujorin e parë të vitit 2008, bie fjala). Aty thuhet se deficiti tregtar është zgjeruar me rreth 17 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në përgjithësi, shtohet më tej, duhet theksuar se zhvillimet në vlerë, në aktivitetin e tregtisë së jashtme, pasqyrojnë edhe efektet e çmimeve të rritura të lëndëve të para, të energjisë dhe të produkteve ushqimore. Një fakt të tillë, kryeministri dhe vartësit e tij nuk e kanë pranuar asnjëherë. “Bum-i” është një fjalë shumë e madhe për problematikat dhe hallet që kalon ky vend.

Mburrjet nuk e frenojnë dot inflacionin në rritje, nuk sjellin dot ujë në shtëpitëe shqiptarëve; dhe as nuk e zhbëjnë faktin e hidhur që gjysma e të ardhurave të tyre, shkon për t’u ushqyer. Më në fund, nga përvoja, kurrherë nuk na ka ardhur ndonjë e mirë nga shtirja dhe nga përdorimi i fjalëve të mëdha; përveçse kemi gënjyer veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›