Modele politikash etnike
Në anglisht ajo që njihet rëndom si ‘kin state policies’ dhe që nuk ka një përkthim literal në shqip, por e përafruar mund të përkthehet ‘politikat e shtetit amë’, është një fushë studimi mjaft interesante dhe që studion sjelljen politike të një shteti ndaj diasporës dhe minoriteteve të tij jashtë kufijve zyrtarë. Politikat etnike që adresojnë minoritetet e jashtme të një vendi dhe që shtrihen nga mbrojta e aspekteve kulturore të jetës së tyre (si p.sh., sponsorizimi i ruajtjes së gjuhës) deri te forma të ndryshme irredentizmi, kanë qenë një trend i vazhdueshëm në shumicën e vendeve evropiane pas-komuniste që kanë pjesë të popullatës së tyre jashtë territorit zyrtar të vendit. Kështu për shembull, Sllovakia kaloi një ligj për mbrojtjen e të drejtave të ko-etnikëve të saj në 1997, Rumania e kaloi një të tillë në 1998, rusët në 1999, bullgarët në 2000, ndërsa hungarezët në 2001 dhe e amenduan më pas në 2003-shin. Ndër vendet e Evropës Perëndimore, rastet më të spikatura janë Austria në 1979 ndaj Tirolit të Jugut, një krahine autonome nën Italinë e sotme dhe Italia në 2001 për minoritetet italiane në Kroaci dhe Slloveni kanë kaluar ligje të tilla respektive në mbrojtje të minoriteteve të tyre jashtë kufijve. Ndonëse nuk ngelet pas edhe rasti i shtetit gjerman në politikat e tij për dhënien e shtetësisë gjermanëve të Evropës Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe politikat subsekuente që ndoqi për riatdhesimin e tyre.
Rasti hungarez është interesant, pasi shëmbëllen disi me atë shqiptar. Kjo për arsye se ndonëse Hungaria ishte e fundit ndër vendet e rajonit të kalonte një ligj të tillë dhe pa u shquar për ndonjë radikalizëm të veçantë në politikat e veta ndaj diasporës, shpesh është mbiquajtur irredentiste dhe me synime për krijimin e Hungarisë së Madhe. Kjo për shkak të ekzistencës së një Hungarie me përmasa thuajse sa dyfishi i territorit të sotëm, si gjatë luftës së parë, ashtu edhe gjatë luftës së dytë botërore. Duke qenë se të dyja herët, hungarezët u rreshtuan me fuqitë humbëse në luftë, të dyja herët u detyrua t`u lëshonte territor fqinjëve të saj me pak më tepër fat. Së pari, qe Traktati i Trianonit, sipas pallatit të famshëm në Versajë ku u nënshkrua ky akt gjatë Konferencës së Paqes në Paris, e cila e detyroi shtetin hungarez të humbiste rreth një të katërtën e territorit dhe popullsisë dhe megjithëse rifituan një pjesë të këtyre territoreve gjatë pushtimit nazist, iu desh t’i lëshonin menjëherë pas mbarimit të luftës, madje duke paguar edhe dëmshpërblim ekstra për pozicionimin në grupin e vendeve të Bllokut.
Komisioni i Venecias, i cili në Shqipëri njihet kryesisht për ndihmën ligjore dhe rekomandimet që u ka dhënë parlamentarëve tanë, sidomos në lidhje me çështje që lidhen me parimet kushtetuese, apo edhe reformës zgjedhore, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen e një studimi komparativ të politikave të tilla ndaj minoriteteve, duke vendosur njëkohësisht dhe rregulla loje bazë që duhet të respektohen a apriori nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës. Ndër rekomandimet bazë, përfshihet para së gjithash, respektimi i sovranitetit të vendit, të drejtat bazë të njeriut dhe mosdiskriminimi. Shtetet mund të ofrojnë benefite për minoritetet e tyre jashtë kufijve vetëm në rast se kjo plotëson dy kushte kryesore: së pari, është në funksion të marrëdhënieve akoma më miqësore ndërmjet dy shteteve dhe së dyti, çdolloj ndihme e dhënë për këto minoritete duhet të jepet brenda territorit të vetë vendit donator, pra moscenimi i sovranitetit të vendit fqinjë, qytetarë të së cilit këto minoritete janë.
Këto parime dhe rregulla të përgjithshme kanë për qëllim integrimin sa më të plotë të këtyre minoriteteve në jetën social-ekonomike të vendit, qytetarë të së cilit janë, duke ruajtur sovranitetin kushtetues të tij, por njëkohësisht duke gëzuar të drejtën e mos-diskriminimit dhe të respektimit të gjitha të drejtave njerëzore. Kjo njëkohësisht sjell dhe uljen e tensioneve ndërmjet shteteve fqinjë, sidomos në një rajon shpesh të konsideruar si ‘fuçi baruti’ si ky i yni dhe ku prezenca e minoriteteve dhe popullsive shtetformuese është tashmë një normë dhe realitet i gjithëpranuar. Politika të caktuara shtetërore, apo qëllime transgresive që synojnë radikalizmin e politikave etnike me qëllim përfitimin e sa më shumë të mirave materiale, por që nga ana tjetër ndikojnë në stabilitetin dhe normalitetin e marrëdhënieve dypalëshe apo nxitjen e urrejtjes ndëretnike, janë në kundërshtim me frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, Këshillit të Evropës, OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe kundër frymës dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare publike.
Në këtë prizëm, mund të themi që minoritetet shqiptare qoftë këto si popullsi shtetformuese (si në rastin e Maqedonisë fqinje), apo minoriteteve (si p.sh në rastin e Malit të Zi), ashtu si më parë edhe shqiptarët e Kosovës etj., nuk janë gjendur asnjëherë në epiqendrën e politikave ndihmëse nga shteti shqiptar, qoftë edhe vetëm në forma simbolike, si mbrojtje e të drejtave kulturore të tyre. Madje, ironikisht, jo më tej se disa ditë më parë, parlamenti ynë diskutoi një projektligj që kishte për synim moslejimin mbi kufirin maksimal të tre muajve pa vizë në territorin shqiptar të shqiptarëve të lindur jashtë kufijve zyrtarë. Pra, ky rregull përfshin shtetasit malazezë, maqedonas apo serbë me etni shqiptare, dhe ndoshta edhe ata të shtetit sivëlla të Kosovës, nën pretendimin e luftës ndaj tezave që artikulojnë rrezikun e Shqipërisë së Madhe. Kjo pra bëhet me qëllimin e ‘mbushjes së mendjes’ së ndërkombëtarëve se fqinjëve nuk u kanoset ndonjë rrezik irredentist nga shteti shqiptar. Pak a shumë e njëjta gjë me moratoriumin ‘antiskaf’ që u projektua dhe vazhdon të zbatohet me qëllim marrjen e ‘gradave’ nga qeveria dhe shpresën për një përshpejtim të procesit integrues. Ajo që nuk kuptohet apo anashkalohet qëllimisht, është se së pari tezat sllave për rrezikun e ‘Shqipërisë së Madhe’ do vazhdojnë të artikulohen si përherë, pavarësisht se ka gjithnjë e më pak dëgjues në botën perëndimore. Kalimi në masa reaksionare të tilla si ajo e përmendur më sipër, veç dobësojnë akoma më tej statusin e shtetit ‘amë’ në Ballkan dhe më gjerë, si dhe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me bashkëkombësit në vende të ndryshme.
Në vend që të kalohet në marrjen e masave për nxitjen e bashkëpunimit më të ngushtë, sidomos në kudër të marrëdhënieve ekonomike në një hapësirë sa më gjithëpërfshirëse, si dhe inkurajimin e integrimit në jetën e vendit të diasporës, emigrantëve, studentëve dhe shqiptarëve të tjerë jashtë, nëpërmjet mundësimit të së drejtës së votës dhe kushteve të tjera lehtësuese, ne shkojmë dhe bëjmë ekzaktësisht të kundërtën, duke treguar në rastin më të mirë, papërgjegjshmëri. Ndërkohë që fqinjët tanë shpesh fryjnë jashtë çdolloj përmase reale minoritetet e tyre në vendin tonë dhe kërkojnë herë haptazi dhe herë indirekt politikat tilla të diskriminimit pozitiv që mund të jenë sui generis në Evropë dhe më gjerë. Dihet se në diplomaci, ashtu si edhe në tregti, fiton përherë ai që këmbëngul më fortë, ka nuhatje dhe këmbëngulje më të madhe. Në rast se duam të imitojmë modele evropiane, të tilla janë të bollshme në të gjitha aspektet, duke përfshirë dhe këtë të trajtuar në këtë shkrim.