Bumçi: PS-së, të mos pengojë reformën në drejtësi
Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi i bëri thirrje sot Partisë Socialiste që "të mos bëhet pengesë për reformën në drejtësi dhe të kalojë ligjin 'Për Gjykatën Administrative'". Në një deklarate për shtyp, zoti Bumçi e konsideroi këtë ligj si "një nga reformat më të rëndësishme të kësaj qeverisje, jo vetëm në fushën e drejtësisë, por edhe në marrëdhëniet me gjyqësorin dhe shoqërinë. Ngritja e Gjykatës Adminstrative do të thotë një shkallë më e ulët e abuzivizmit me pushtetin nga ana e administratës, ndërkohë që ky ligj ul hapësirat për korrupsion dhe rrit nivelin e demokracisë dhe të drejtat e qytetarëve, tha Bumçi. Ai cilësoi se ngritja e kësaj administrate është një shans i shumëpritur për biznesin shqiptar, i cili vuan në çështjet që ka me administratën shtetërore për vite të tëra. Mungesa e vullnetit të PS-së për miratimin e këtij ligji, sipas Bumçit, "do të thotë se socialistët nuk janë pro reformës në drejtësi, por janë kundër zhvillimit të vendit".