PDS: Qeveria të marrë masa për krizën
Partia Demokracia Sociale ka reaguar sot për krizën ekonomike që po kalon vendi, duke akuzuar qeverinë për pa përgjegjshmëri në këtë drejtim. Sekretari Politik Artur Duckallari, theksoi se ministrat e Berishës gënjejnë shqiptarët me mesazhe të paqartë e mashtrues, duke tentuar t'u hedhin hi syve për të mos bërë të ditur krizën që ka pllakosur vendi. "PDS vëren se treguesit ekonomiko-financiarë të Shqipërisë janë shqetësues dhe nuk duhet humbur asnjë ditë për të menduar një zgjidhje efikase. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 9.9 % gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, ndërsa kjo rritje është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e fundit"-theksoi Duckallari. Ai nënvizoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë paralajmërimin e tij të qartë, që qeveria "Berisha" nuk ka dashur ta dëgjojë, duke mos e pranuar krizën. PDS kërkon nga qeveria të nisë menjëherë zbatimin e masave anti-krizë, duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës për zgjidhje të rëndësishme për vendin. Ne duhet të shmangim, që duke u ndodhur në një vit elektoral, të mbyllim sytë dhe të zgjohemi vetëm atëherë kur pasojat e krizës ekonomike do të jenë të rënda. Dobësimi i lekut gjatë ditëve të fundit mund të sjellë të tjera pasoja negative për importet, nga varet shumë ekonomia jonë. Shqiptarët po humbasin vendet e punës dhe po vuajnë varfërinë dhe çmimet e larta, ndaj kërkojnë një qeveri të përgjegjshme"-përfundoi deklaratën Duckallari.