E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi takon ambasadorin e Maqedonisë: Me rëndësi zbatimi i marrëveshjes së Ohrit

TIRANË - Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, gjatë një takimi të premten me ambasadorin e ri të Republikës së Maqedonisë në Tiranë, Vele Trpevski, nënvizoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ambasadori Trpevski, pasi uroi ministrin Bumçi për detyrën e re, vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes të dy vendeve dhe në veçanti, mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ai u shpreh se vizita zyrtare, së afërmi, e homologut Bumçi në Shkup, është shumë e rëndësishme për intensifikimin e dialogut politik.

Ministri Bumçi, vlerësoi se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes të dy vendeve, luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Pasi evidentoi se përfaqësimi i shqiptarëve në administratën publike është përmirësuar, nënvizoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ministri shqiptar nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar nxitjen më tej të rritjes së shkëmbimeve tregtare; të ndërmarrjes së veprimeve konkrete për avancimin e projekteve të përbashkëta në infrastrukturë dhe energji, si Korridorit 8 dhe Linja e interkonjeksionit 400 Kvolt.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›