Buna, në moment kritik, 2 lagje të Shkodrës nën ujë
11/01/2010 Përmbytet lagjja e “Kirasit” dhe “Xhabit”. Rritet numri i banorëve të evakuar dhe hektarëve nën ujë
TIRANE- Dhjetë ditë nga vërshimi i ujit në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës, aktualisht situata në këtë qytet vazhdon të rëndohet edhe më shumë. Reshjet e shumta përgjatë gjithë ditës së djeshme kanë sjellë prurje të mëdha të lumenjve si Gjadër, Përroi i Thatë dhe Drin, të cilët kanë bërë që niveli i ujit në lumin Buna të rritet edhe me 6 centimetra më shumë, duke kapur kuotën e 9 metrave e 11 centimetrave. Ndërkohë që sipas ekspertëve hidrologjikë niveli kritik i këtij lumi është vetëm 9 metra e 25 centimetra, nivel ky që sipas tyre nuk mund t’i rezistojë asnjë lloj argjinature. Si pasojë e këtij niveli, pritet që në ditët në vazhdim të zgjerohet harta e përmbytjeve dhe se uji do të hyjë edhe në disa lagje periferike të Shkodrës. E para lagje e Shkodrës që i është nënshtruar “mbretërisë” së ujit, është ajo e “Xhabit” ku nga rritja e nivelit të Bunës, uji ka depërtuar nëpër kanalizimet e pusetave dhe më pas ka nxjerrë krye në rrugën kryesore të saj. Për pasojë rruga është mbuluar krejtësisht nga uji, çka ka sjellë qarkullimin e vështirë të banorëve, automjeteve si dhe ka mbushur plot e përplot podrumet e kateve të para të pallateve. Pas saj radhën e ka pasur lagjja e “Kirasit”, ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm. Ndërkohë që situata teje e rënduar vazhdon të jetë në fshatrat si: Ana e Malit, Dajç, Obot, Bërdicë e të tjera, ku nga lagështira e tepruar, disa prej banesave kanë filluar të plasariten, gjë e cila shton rrezikun për shembjen e tyre. Deri tani në qarkun e Shkodrës janë përmbytur 2489 shtëpi dhe 10 mijë e 400 hektarë tokë. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, janë evakuar rreth 4800 banorë. Në mbledhjen e paradites së djeshme Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile, analizoi veprimtarinë gjatë 24 orëve të fundit së strukturave të ushtrisë, policisë dhe të institucioneve të tjera. Pasi u analizua situata konkrete u ngarkuan me detyrat përkatëse forcat ushtarake dhe ato policore, për furnizimin me bazë ushqimore për gjithë personat e evakuar si dhe individët që nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre. Ndërkohë që me ushqime janë furnizuar edhe bagëtitë në komunat Dajç, Ana Malit dhe Velipojë. Gjithashtu rëndësi ju vu edhe operacioneve për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve, urave, si dhe të bashkëpunimit me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e komunitetit nga zonat e përmbytura. Për përballimin e kësaj situate në terren janë hedhur rreth 850 forca ushtarake të pajisura me mjetet e nevojshme deri në autoblinda, si dhe shumë efektiva të Policisë së Shtetit, të cilët janë duke punuar përgjatë gjithë orëve të natës dhe ditës, në mënyrë që të shmangin tragjedira si mbytjen e njerëzve apo diçka tjetër.
Operacionet humanitare
Trupat e huaja fillojnë të japin kontribut
Futja në zonat e përmbyturave të efektivave dhe mjeteve të ardhura nga shtetet si Sllovenia, Greqia dhe Italia, ka qenë një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile. Gjatë mbledhjes u vendos që strukturat e Forcave të Armatosura të përcaktonin pikat e kontaktit me strukturat e huaja të ardhura nga Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia, për të hartuar planin e bashkëpunimit dhe të operacioneve me qellim futjen në veprim të tyre në ndihmë të komunitetit për në zonat e përmbytura dhe qendrat e akomodimit të tyre. Kjo gjë u arrit shumë shpejt falë edhe gatishmërisë së forcave të ardhura nga jashtë, të cilat gjatë ditës së djeshme kanë filluar operacionet humanitare, duke shpërndarë me mjetet e tyre ndihma, evakuar banorë, si dhe vënien në përdorim të dhjetëra pompave të fuqishme, për largimin e ujit nga banesat e përmbytura. Pritet që në ditët në vazhdim këtë forca të shumë afishohen, pasi shumë shtete evropiane kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë në përmbytjen e madhe që ka ndodhur në qarkun e Shkodrës.
Olli takon përfaqësuesit e BE-së
Pritet dyfishimi i ndihmave, për përballimin e situatës
TIRANE- Situata kaotike që është krijuar në komunat e qarkut të Shkodrës, ka detyruar Drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile, Alfred Olli, që të kërkojë ndihmë pranë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Olli i ka njohur përfaqësuesit e BE-së me situatën aktuale në Shkodër, si dhe me masat që ka marrë qeveria shqiptare për përballimin me sukses të situatës dhe për shmangien e tragjedive të mundshme që mund të ndodhin. Ai u ka kërkuar ndihma vendeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që njerëzve të evakuar të mos i mungojë asnjë gjë nga ajo që kanë pasur në banesat e tyre. Gjatë takimit përfaqësuesit premtuan se në ditët në vazhdim do të sjellin ndihma për zonën e përmbytur, në mënyrë që kjo situatë kaotike të kalohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkohë që përgjigjes së Shqipërisë për ndihmë i janë përgjigjur një sërë vendesh të NATO-s, të cilat kanë sjellë mjete teknologjike dhe njerëz. Ndihma kanë ardhur edhe nga shteti i Moldavisë, i cili ka sjellë në Shqipëri disa gjeneratorë.
Situata në Lezhë
Aktualisht në këtë qark situata e përmbytjeve thuajse është normalizuar krejtësisht, pasi nga ndërtimi i argjinaturave dhe pastrimit të kanaleve të kullimit, pjesa më e madhe e ujit, është larguar nga banesat dhe tokat bujqësore. Prurjet e lumit Mat janë ulur ndjeshëm, çka bën që situata është nën kontroll të plotë. Aktualisht disa ekskavatorë të Ministrisë së Bujqësisë janë duke punuar për forcimin e argjinaturave në bregdetin e këtij qarku. Të gjithë banorët janë rikthyer në banesat e tyre, ku kanë filluar normalisht jetën. Problem mbetet vetëm kripësimi i disa hektarëve tokë.
Ndihmat e dhëna
Për përballimin e situatës dhe furnizimin e banorëve me ushqime mësohet se deri më tani nga Drejtoria e përgjithshme e Rezervave të shtetit janë shpërndarë rreth 17. 6 ton sheqer, 14. 7 ton makarona, 12. 6 ton vaj ushqimor, 7. 5 ton oriz, 7. 9 ton konserva mishi, 1. 6 ton fasule, 0. 5 ton kripë, 7. 7 ton ujë, 10 ton detergjent, 10 mijë copë sapunë. Po kështu nga kjo drejtori janë dërguar në prefekturën e Shkodrës 78 çadra dhe janë dërguar për t’u përdorur për mbrojtje nga ujërat 41 mijë thasë rëre, me të cilët janë ndërtuar dhe përforcuar disa argjinatura.
Ministri Petrit Vasili
Ministria e Shëndetësisë nën drejtimin e Petrit Vasilit po ndjek në vijimësi shërbimin shëndetësor në zonat e përmbytura në Shkodër si dhe në qendrat pritëse për banorët e evakuar. Dje në terren vepruan tre grupe pune të drejtuar nga ministri Petrit Vasili, zv/ministri Bardh Spahia dhe Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli. Ministri Vasili ishte edhe në ujësjellësin e qytetit, aty ku shërbimi i higjienës analizon çdo ditë normat e lejueshme të ujit të pijshëm. Shërbimi i higjienës konfirmon se analizat e ujit të pijshëm në depot e qytetit Shkodër janë në normat e lejueshme.
Gruaja shtatzënë
Gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur transporti i një gruaje shtatzënë për kontroll të specializuar pranë maternitetit Shkodër. Në ambientet e repartit ushtarak Rencë ku janë të strehuar 150 persona, tashmë shërbimi shëndetësor është i mbuluar nga OJF, Malteser dhe supervizohet nga qendra shëndetësore Gur i Zi. Vazhdon klorinimi i ambienteve për rreth, si dhe është bërë largimi i mbeturinave në ambientet e tjera. Aktualisht në këtë qendër disponohen medikamentet e nevojshme për situatën e krijuar dhe nuk ka rritje të sëmundshmërisë.
Ushqim për bagëtitë
Operacionet humanitare janë shtrirë dje jo vetëm tek njerëzit, por trupat ushtarake shërbim i kanë bërë edhe gjësë së gjallë, e cila aktualisht mendohet se kap shifrën rreth 1500 të evakuara. Kështu strukturat e ushtrisë kanë kryer operacionet për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë, gjithsej 10 ton. Kjo bazë është shpërndarë në fshatrat e komunave Dajç 3,5 ton, Ana e Malit 2,5 ton dhe Bushat (Mali Jushit) 4 ton. Ndërkohë që ditën e sotshme pritet që ky operacion të shtrihet edhe në disa fshatra të tjera, ku janë evakuar shumë bagëti.
Dy helikopterët
Rreth orës 12:30 kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Italia dy helikopterë tip ACH 47 me kapacitet transporti 37 trupa, si dhe mjete të ndryshme si autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje. Ndërkohë që tepër ndihma kanë ardhur edhe nga firmat private në Shqipërisë, të cilat kanë ofruar shuma të ndryshme financiare si dhe materiale si: çizme apo ushqime të tjera. Kosova ka vendosur të shtojë numrin e kontingjentit të personave që aktualisht po punojnë në zonat e përmbytura. Ky është misioni i parë i tyre.