E Shtunë, 31 Tetor 2026

Omonia, Bollano nuk lejon Kserën të flasë

11/01/2010  Gjirokastër, takimi në 19-vjetorin e krijimit të organizatës. Përplasja mes palëve
Reagimi i kryetarit të PBDNJ-së: Spiro Ksera nuk ishte në protokoll
GJIROKASTËR - Për herë të parë 19-vjetori i themelimit të organizatës së grekëve Omonia, që u zhvillua paraditen e diel në fshatin Dervician të Dropullit të Poshtëm, rreth 7 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, nuk kanë munguar akuza dhe kundërakuza të drejtpërdrejta dhe as përplasje mes palëve.
Në mungesë të të gjithë themeluesve të parë të organizatës Omonia, kryetari aktual Vasil Bollano, i ka hequr të drejtën e fjalës përshëndetëse deputetit të qarkut të Gjirokastrës, njëherazi ministri i Punëve, Çështjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.
Përplasja
Zhvillimet politike brenda komunitetit më të madh të pakicave kombëtare në Shqipëri mundën të dallojnë dhe evidentojnë edhe një ndryshim mes qëndrimeve të ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Kristos Pazios, dhe Konsullit të Përgjithshëm në Gjirokastër, Joanis Rizopulos, lidhur me vlerësimin e lidershipit politik që përfaqëson aktualisht minoritetin grek në spektrin politik shqiptar. Të dy diplomatët ishin të prerë lidhur me rolin përfaqësues të Omonia-s në bashkimin rreth saj të të gjithë faktorëve të homogjenitetit grek në Shqipëri, por ndryshonin në vlerësimet e tjera, pasi ambasadori grek zoti Kristos Pazios në përshëndetjen e tij u shfaq më liberal dhe pluralist lidhur me tendencat për krijimin e partive politike brenda këtij minoriteti, ndërsa Konsulli i Përgjithshëm në Gjirokastër Joanis Rizopulos ishte më kategorik për tendencat e pluripartizmit, pra kundra krijimit të një partie të re. Ndërsa në fjalën e tyre, Bollano e Dule pranuan “de facto” se në veprimtarinë e kësaj organizate ka pasur edhe gabime në politika strategjike, nga ana tjetër ata përjashtuan, duke e vlerësuar si person “non grada” ish-drejtuesin kryesor Spiro Ksera. “Me këtë refuzim u vërtetua edhe një herë ideja e grupit dominues të Omonia-s, se brenda saj nuk ka demokraci, se drejtimi i Omonia-s është uzurpuar nga PBDNJ, se vetë Dule e Bollano pranuan tezën tonë që në vitin 2010 të zhvillohet një kongres i jashtëzakonshëm i Omonia-s që ajo të rikthehet në binarët e misionit të saj të bashkimit të të gjithë faktorëve pa dallime politike të grekëve të Shqipërisë”, është shprehur Spiro Ksera pas përvjetorit. Nga ana tjetër, kryetari i PBDNJ-it, Vangjel Dule, e ka cilësuar mosdhënien e fjalës për Kserën, si një respektim rigoroz të protokollit. “Ceremonia ka një protokoll të detajuar dhe ai ishte jashtë saj”, është shprehur shkurt Dule.
Pak histori
Rrugëtimi me dritëhije i Omonia-s
Kryetari i parë i Omonia- është zgjedhur gazetari dhe poeti Andrea Zarballa nga Saranda. Mandati i tij ka përfshirë periudhën 1991-‘92, kur ai ishte dhe një nga 5 deputetët e Omonia-s në Parlamentin e parë pluralist shqiptar. Dy mandatet pasardhës në krye të Omonia-s i përkasin Sotir Qirjazati, një ish i persekutuar politik i dënuar nga shteti komunist për agjitacion e propagandë politike. Dy mandatet e Qirjazatit vlerësohet si më të vështirët në historinë 17-vjeçare të Omonia-s, pasi në këtë periudhë marrëdhëniet mesh Tiranës dhe Athinës u ashpërsuan deri në ngrirje për shkak të një zinxhiri ngjarjesh që nisën me incidentin e ndodhur në repartin ushtarak të Peshkëpisë, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ku një komando ekstremistësh nacionalistë sulmoi me armë ushtarët dhe oficerët e këtij reparti, që vijoi me arrestimin dhe dënimin e 5 krerëve të Omonia-s. Pas kësaj periudhe vjen një tjetër i persekutuar dhe i dënuar politik Jorgo Labovitjadhi, nga Gjirokastra. Mandati i zotit Labovitjadhi u shtri në periudhën 1996-1998, periudhë që edhe pse përfshiu brenda saj kaosin politik të vitit 1997, në jetën politike të Omonia-s nuk ka shumë episode dhe ngjarje për t’u shënuar.
Mandati pasardhës i përket politikanit të ri të minoritetit grek Vangjel Dule nga Goranxia e Gjirokastrës dhe gjatë këtij mandati që përfshin periudhën 1998 – 2002 ndodhin ndryshime të mëdha në jetën e Omonia-s. Ndër ndryshimet më kryesore është unifikimi i postit të kryetarit të Omonia-s dhe PBDNJ-së me lider zotin Dule, gjë që sikurse u vërtetua më pas solli zbehjen graduale të rolit të Omonia-s dhe forcimin e rolit politik të PBDNJ. Në periudhën 2002 – 2008, vinë dy mandate të tjera kur në krye të Omonia-s vihet pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës, Jani Jani, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dules. Në rrethana krejt të papritura për zotëruesin e dy mandateve “të qeta” Jani Jani, më 10 mars të vitit 2008 në krye të Omonia-s vjen kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ky zëvendësim i papritur nuk u prit mirë nga pedagogu Jani Jani dhe pavarësisht nga përmbajtja e tij për të reaguar publikisht ndaj “katapultimit” të Bollanos në krye të Omonia-s, fakti që ai nuk pranoi ofertat për poste të tjera në parti apo në Omonia dhe që pas shkarkimit u tërhoq nga të gjitha veprimtaritë politike flet qartë për qejfmbetjet e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›