E Diel, 1 Nëntor 2026

Bundesliga, Gekas thyen Dortmundin

“Kanarinat” e Klopit pësuan dje humbjen e dytë në këtë sezon. Borusia nuk arriti që të thyente rekordin e Bajernit

Borusia e Dortmundit, edhe pse prej javësh kishte siguruar titullin (simbolik) kampion dimri, e mbylli në mënyrën më të keqe të mundshme sezonin e parë të Bundesligës 2010-2011. Transferta në Frankfurt rezultoi fatale për djemtë e Klopit, të cilët pas eliminimit nga Liga e Evropës (Sevilja u mori vendin e dytë), u detyruan që të linin tri pikët në transfertë.

Pa humbje që nga 22 gushti

Borusia e Dortmundit nuk humbte në Bundesligë që nga java e para e këtij sezoni (22 gusht). Humbja në Frankfurt ishte mjaft e hidhur për “kanarinat” nga Vestfalia, pasi vinin pas plot tetë fitoreve radhazi në transfertë. Në Frankfurt gjithçka ndodhi nga minuta e 86-të e deri në atë të 87-n... Në minutën e 86-të Kuba Blazikovski “fluturoi” nga e djathta dhe harkoi në mënyrë të përsosur drejt Lukas Barriosit, që dy metra larg portës ngriti lart sferën. Pas këtij sulmi të humbur, ekipi vendas rinisi një aksion fantastik që u vendos nga këmbët e Martin Feninit. Ky i fundit, i sapofutur në fushën e lojës, pasi mori sferën nga e djathta me takë i dhuroi një asist të mrekullueshëm sulmuesit grek, Teofanis Gekas. Shtatshkurtri i gjendur përballë Vaidelfenderit nuk hezitoi duke kaluar topin në rrjetë, duke sigluar kështu golin e 14-të personal në Bundesligë. Kështu u përmbush me së miri rregulli i pashkruar i futbollit.

Ironi e fatit

Ky takim ishte paksa i çuditshëm për Borusian e Dortmundit që një javë më parë mposhti Verderin vetëm se sulmuesit e skuadrës së Shaftit gabuan shumë para portës. Ndërkohë që dje ndodhi komplet e kundërta. Dortmundi mbajti topin, madje pati dhe rastin më të pastër për të shënuar gol (me Barriosin, Shahinin dhe Kagavën), por humbi.

Rekordi mbetet i Bajernit

Në takimin e djeshëm njëri prej atyre që ka gabuar rëndë, ishte edhe trajneri i Borusias. Jurgen Klopi zëvendësoi Shinji Kagavën shumë shpejt. Trekuartisti japonez kishte ende energji dhe mund të ndërronte rrjedhën e lojës në çdo moment. Gjithsesi, Borusia do të kalojë në qetësi pushimet, pasi përveç humbjes që mori në javë të parë dhe në atë në javë të fundit, krenohet me 14 fitore dhe një barazim, çka do të thotë që ka marrë plot 43 pikë në fazën e parë. Më mirë se ata më parë ka bërë vetëm Bajerni i Mynihut. Ekipi bavarez në sezonin 2005-2006 ka marrë pushimet dimërore pai kishte grumbulluar plot 44 pikë.

Kundërshtari më i afërt

Kjo humbje e Borusias sikur i ka dhënë pak shpresë Leverkusenit. Skuadra e “aspirinave” në qoftë se fiton sot në “BayArena”, do të ketë mundësi që t’i afrohet me tetë pikë vendit të parë. Po të mendosh se edhe në takimin e parë të janarit këto dy skuadra, pra Borusia dhe Leverkuseni, do të kryqëzojnë shpatat në një duel direkt, atëherë ata që kanë parashikuar se Bundesliga ka mbaruar, do t’u duhet të modifikojnë axhendën.

Rezultatet

Të shtunën

Borusia M. 1-2 Hamburg

Dje

St. Pauli 2 – 4 Mainc 05

Eintraht F. 1 – 0 Borusia D.

Volfsburg 2 – 2 Hofenhaim

Verder B. 1 – 2 Kajzerslautern

Shalke 04 3 – 0 Këln

Nuremberg 3 – 1 Hanover 96

Sot

Bajer L. – Frajburg

Shtutgart – Bajern M.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›