Abu Dabi, Interi mund Mazemben dhe hipën në çatinë e botës

Zikaltrit në finalen e madhe realizuan plot tre gola
Interi shpallet kampion bote. Pas plot 45 vite pritjeje, klubi zikaltër kurorëzon sezonin fantastik të 2010-s me suksesin në Botërorin e Klubeve falë fitores 3-0 në finalen kundër Mazembes.
Masimo si Anxhelo
Masimo Morati përsërit të njëjtin sukses që i ati, Anxhelo, pati arritur 45 vjet më parë me Interin e madh të Helenio Herrerës. Kampionë të Italisë, fitues të Kupës, Superkupës dhe kampionë të Evropës: me triumfin e djeshëm, zikaltrit kurorëzojnë në mënyrë të përkryer një vit të jashtëzakonshëm, që i pa triumfues në pesë nga gjashtë titujt e mundshëm (përveç Superkupës së Evropës, të cilën ia rrëmbeu Atletiko e Madridit).
Finale e lehtë
Përballë afrikanëve të Mazembes, finalja në “Sajed Stadium” të Abu Dabit ishte e lehtë për skuadrën e Benitezit. Goran Pandev hap serinë e golave pas 13 minutash, duke shfrytëzuar një asist të bukur të kamerunasit Samuel Eto. Ky i fundit ishte autor i golit të dytë katër minuta më pas, pas pasit të marrë nga Pandev brenda zonës. Fitorja 3-0 vuloset pesë minuta nga fundi, kur Biabiani, i futur në vend të Militos (autor i dy rasteve të humbura në pjesën e parë), merr një pasim spektakolar nga Stankoviç (edhe ky i futur në pjesën e dytë). Sulmuesi francez shmang portierin kundërshtar dhe me një prekje të lehtë me të majtën çon topin në rrjetë. Kështu, gjithçka shkoi sipas planit. Interi rikthehet në Milano duke marrë me vete lavdinë e më të mirit në botë: gjashtë gola të shënuar, asnjë i pësuar. Tashmë zikaltrit mund të përqendrohen në kampionat, aty ku kanë humbur terren kohët e fundit. Mund të vazhdojë punën i qetë edhe Rafa Benitez, që mban premtimin para presidentit Morati.
Lëvizja e Rafës
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, kurrsesi nuk mund të luante me skemën e Murinjos (4-2-3-1) dhe dje mendoi që të sistemonte të tijtë në një skemë tjetër: 4-3-3. Kështu, nga ky ndryshim, trajneri spanjoll u detyrua që të “sakrifikonte” Dejan Stankoviçin, duke aktivizuar që nga minuta e parë Tiago Motën.
Pak orë para këtij takimi, “kushtrimin” e kishte lëshuar edhe Murinjo. Trajneri portugez, që tashmë stërvit Realin, është arkitekti i këtij Interi fitues. Në studion sportive të RAI 2, tekniku portugez tha: “Interi duhet të fitojë sot (dje), pasi vetëm në këtë mënyrë do të kurorëzojë atë rrugë të gjatë që bëmë bashkë vjet”. Pas këtyre fjalëve “orakulli” nga Setubali, si për të treguar që s’është aspak modest, iu përgjigj gazetarit italian, që e pyeti se çfarë note i vë vetes, me një “11”.