E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bundeslliga, kampionati që ‘ha’ trajnerët e huaj

SHKRUAN: Jeton Selimi 07-04-2011 13:18

Në kampionatin gjerman kanë trajnuar 57 trajnerë të huaj, prej të cilëve vetëm Van Gal ka mundur të fitojë titullin kampion

Trajneri anglez Stiv MekLaren ka kohë që është larguar nga skuadra e Volfsburgut pasi nuk arriti të përmbushte synimet që kishte ai dhe skuadra. MekLaren shkoi te Volfsburgu para fillimit të këtij edicioni, pasi u shpall kampion me Tventen në Holandë. Ai pati ekipin më të përforcuar në Bundesligë. Njëra nga arsyet më të mëdha të dështimit të MekLarenit në Bundesligë është mosnjohja e gjuhës gjermane. Për këtë është i bindur Verner Mikler, që është psikolog në akademinë e trajnerëve, e stacionuar në Koln.

"Nuk bëhet fjalë për basketbollin, pasi në këtë sport gjuha primare është gjuha angleze. Këtu bëhet fjalë për futbollin dhe rol shumë të rëndësishëm luan gjuha gjermane", ka thënë Mikler. Frank Vormuth, udhëheqës i akademisë së trajnerëve në Koln, shkon më larg. Ai thotë se para se të zgjidhet trajneri duhet shikuar se në cilat gjuhë ka njohuri. Sipas tij, mosnjohja e gjuhës gjermane është pengesë e madhe për të komunikuar me futbollistët si në stërvitje ashtu edhe në lojë. "Ky është problemi më i madh, pasi mosnjohja e gjuhës bën që futbollistët të mos kuptojnë. Trajneri nëse nuk njeh gjuhën gjermane nuk ka çfarë të kërkojë në Bundesligë", tha Vormuth. Deri më tani në Bundesligë, kanë punuar 57 trajnerë të huaj nga 15 shtete të ndryshme. Numri më i madh i trajnerëve ishte nga Holanda, mirëpo prej holandezëve vetëm Van Gal ka arritur të fitonte titullin e kampionit të Gjermanisë. Megjithatë, edhe trajneri Van Gal në fund të këtij edicioni do të largohet nga skuadra bavareze shkaku i mossukseseve këtë edicion. Ai po largohet një vit para se t'i skadojë kontrata. "Krahas gjuhës gjermane, trajnerët duhet të njohin Bundesligën dhe të shikojnë shumë ndeshje për të kuptuar se çka po ndodh aty, si duhet të punojnë dhe çka është e nevojshme për t'u treguar i suksesshëm", paralajmëron Mikler.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›