Bunjaki në hall
Mospranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA e UEFA po i shkakton probleme të shumta selektorit të përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki.
Siç dihet, shtëpia e futbollit kosovar me vështirësi shumë të mëdha ia del që ‘aty-këtu’ t’ia organizojë ndonjë ndeshje miqësore reprezentacionit kosovar - edhe atë vetëm me klube të huaja, e aq më pak me reprezentacione të shteteve tjera - sepse Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s e UEFA-s.
Kjo nuk i shkon aspak për shtati Bunjakit, i cili ka marrë përgjegjësinë që të punojë në përfaqësuesen e Kosovës në mënyrë që kjo e fundit të jetë e gatshme për ndeshje ndërkombëtare menjëherë pas ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
Por, për ta përgatitur sa më mirë reprezentacionin, Bunjaki thotë se duhet t’i organizohen sa më shumë ndeshje miqësore, megjithëse e kupton FFK-në që nuk e ka të lehtë të organizojë ndeshje të tilla.
Por, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin ballafaqohet Bunjaki. Seleksionuesi kosovar has në telashe edhe atëherë kur FFK-ja ia del disi ta organizojë ndonjë miqësore, siç është kjo që do të luhet më 27 mars në Prishtinë ndaj kampionit turk, Bursaspor.
Për këtë takim, Bunjaki llogarit kryesisht në lojtarët kosovarë, të cilët aktivizohen nëpër klube të huaja. Por, këto të fundit nuk ndjenjë përgjegjësi për t’i liruar lojtarët e tyre nga Kosova, kur ata ftohen nga përzgjedhësi kosovar.
Bunjaki thotë se kjo vjen nga shkaku se Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, sepse klubet nuk guxojnë t’i ndalin futbollistët tjerë kur ata ftohen nëpër kombëtaret e shteteve tjera anëtare të FIFA-s.
“Nuk është e lehtë t’i nxjerrësh lojtarët që llogarit në ta nga klubet e huaja. Ka klube që nuk i lirojnë futbollistët, ka klube që duhet t’i lusim e t’i lusim për t’i liruar, sepse Kosova nuk është anëtare e FIFA-s e UEFA-s dhe klubet nuk janë të obliguara që t’i lirojnë. Thjesht, nëse duan i lirojnë, nëse nuk duan s’i lirojnë dhe ne s’kemi çfarë të bëjmë”, ka deklaruar Bunjaki për Express.
Ai kujtoi se me kësi lloj problemesh është ballafaquar sa herë që i ka ftuar reprezentuesit kosovarë për ndeshjet e kaluara miqësore, por me të tilla probleme po ballafaqohet edhe për ndeshjen e 27 marsit. Por, Bunjaki nuk ka përmend emra të klubeve, të cilat hezitojnë t’i lirojnë lojtarët e tyre për t’iu bashkuar përfaqësueses sonë.
Megjithatë, Bunjaki e ka një porosi për të gjithë futbollistët kosovarë. “Do të ishte mirë që çdo futbollist kosovar, kur kalon në ndonjë klub të huaj, t’ia shpjegojë situatën e Kosovës para se të nënshkruajë kontratë. Le t’u thonë klubeve të tyre se Kosova nuk është ende anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, por shteti im ka një përfaqësuese dhe ju duhet të më lironi të luaj për përfaqësuese nëse ftohem nga selektori”, thotë Bunjaki.
“Pasi të merren vesh rreth kësaj çështjeje, lë të nënshkruajnë kontrata. Kjo le të jetë pikë e marrëveshjes me kontratë”, përfundoi ai.