E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk duam hakmarrje

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, nuk dëshiron që ekipi i tij të motivohet nga hakmarrja ndaj Manchester Unitedit për humbjen në finalen e vitit 2008 në Ligën e Kampionëve, në përballjen e tyre në çerekfinale të garës së këtij edicioni. Ai thotë se kërkimi i trofeut të parë nuk është obsesion, por një ëndërr e skuadrës nga Stamford Bridge. Nga Express më 20 mars 2011 në ora 11:25

Hakmarrja ishte pa dyshim në mendjen e Carlo Ancelottit, kur Chelsea i tij u tërhoq përballë Manchester Unitedit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve muajin e ardhshëm. Por, strategu italian nuk dëshiron që hakmarrja të motivojë futbollistët e tij, kur ata të takohen me skuadrën që ua dhuroi disfatën e rëndë në finalen e vitit 2008.

Ngushëllimi i vërtetë, thotë ai, mund të vjen vetëm duke ngritur trofeun në Wembley në maj.

Së paku një skuadër angleze do të jetë në gjysmëfinale, pasi shorti i tërhequr në Nyon të premten vuri përballë kampionin e Premierligës me liderin aktual, ndërsa Tottenhami do të jetë i dyti nëse arrin të eliminojë Real Madridin e Jose Mourinhos. Në çiftet tjera çerekfinale, Barcelona do të takohet me Shakhtar Donetskun, ndërsa kampioni në fuqi Inter me Schalke 04.

Andaj ishte përballja angleze që zgjoi vëmendjen kryesore. Shumica e anëtarëve nga skuadra e Chelseas - që përjetoi dëshpërimin e madh të humbjes me penallti nga Manchester United në Moskë tre vite më parë, përfshirë John Terryn dhe Nicolas Anelkan, të cilët nuk kishin realizuar nga pika e bardhë - janë ende në klubin që kërkon titullin e parë në Ligën e Kampionëve.

“Nuk mendoj se hakmarrja do të jetë motivim i mirë”, tha Ancelotti i cili në atë kohë ishte trajner i Milanit. “Do të jetë motivim i shkëlqyeshëm vetëm të shikojmë drejt së ardhmes. Fitimi i kësaj gare nuk është një obsesion. Është një ëndërr. Por, i kemi edhe katër ndeshje për të arritur në finale në Londër. Nëse Chelsea arrin në finale, kjo do të ishte hakmarrje e mirë për atë që ndodhi më 2008”, tha Ancelotti në konferencë për shtyp, para ndeshjes kundër Manchester Cityt të dielën.

“Futbollistët ende kujtojnë humbjen në Moskë, por ne duhet të mbetemi vetvetja jonë që mposhtëm dy herë Manchester Unitedin vitin e kaluar dhe kemi fituar kundër tyre edhe këtë sezon”, shtoi ai.

Klubet do të përfundojnë sezonin me përballje të shpeshta, pasi do të ndeshen katër herë brenda tre muajve, duke përcjellë fitoren 2-1 të Chelseas në Stamford Bridge gati tre javë më parë.

“Por, secila ndeshje është tregim tjetër. E kam fituar trofeun me Milanin, në atë klub gara më e rëndësishme është Liga e Kampionëve, jo Serie A. Çdo vit, për shkak të traditës dhe historisë, ne u përqendruam në Evropë. Për Chelsean, fitimi i garës do të ishte me rëndësi sepse do të ishte për herë të parë. Por, ne duhet të presim, kjo përballje do të jetë shumë e vështirë. Manchester United ka treguar vazhdimësi të jashtëzakonshme këtë sezon, më të mirë se ne. Por, brenda 180 minutave, ekipi që luan më mirë do të fitojë”, përfundoi Ancelotti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›