Bunjaku, në qiellin e shtatë

Albert Bunjaku ndihet i lumtur që e gjeti golin pas gati dy vjetësh. Sulmuesi shqiptar e shënoi golin vendimtar të Nurnbergut në fitoren e rëndësishme ndaj Borussia Monchengladbachut.
Futbollisti gjilanas u inkuadrua në lojë në minutën e 84-t, ndërsa shënoi vetëm pas tre minutash për t’ia siguruar tri pikët e radhës ekipit të tij. Përfaqësuesi zviceran e festoi golin bashkë me tërë ekipin, i cili nuk e la asnjëherë anash.
“Jam mjaft i lumtur që e gjeta sërish golin, pasi që hera e fundit që shënoja ishte viti 2010. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Ia ka vlejtur puna e vështirë dhe e mundimshme të cilën e kam bërë. Ishte një ndjenjë e mirë që e tërë skuadra erdhi të festonte me mua. Kjo demonstron se kemi ekip të bashkuar”, deklaroi fillimisht 28 vjeçari pas ndeshjes.
Bunjaku ishte golashënuesi më i mirë i Nurnbergut dy sezone më parë, duke realizuar 12 gola në debutimin e tij në Bundesligë. Por, në fund të vitit 2010 e pësoi një lëndim të rëndë në gju, që iu desh të pushonte 6 muaj. Më pas nuk punoi fort, por sezonin e kaluar nuk mundi ta ndihmonte ekipin e tij.
Kurse, këtë sezon iu desh të priste në pjesën pranverore për ta shijuar golin e parë. Ai i ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë periudhës më të errët të karrierës.
“E falënderoj klubin, tifozët dhe stafin teknik që kanë besuar në mua dhe që nuk më kanë lënë anash kurrë. Shpresoj që në të ardhmen të shënoj sërish dhe ta ndihmoj ekipin”, vijoi ish futbollisti i Erfurtit.
Golin e Bunjakut e ka mirëpritur edhe trajneri Dieter Hecking. “Nuk kam dyshuar kurrë se ai do t’i kthehet golit. Djaloshi e meritoi golin pas një pritjeje të gjatë”, deklaroi trajneri gjerman.
Herën e fundit, Bunjaku kishte shënuar në mars të vitit 2010 në Berlin. Ndërkaq, 24 muaj më pas, ai e festoi më në fund golin e radhës. Sulmuesi kosovar nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.
Ai synon gola të tjerë gjatë këtij sezoni për ta ndihmuar Nurnbergun t’i arrijë objektivat që ka. Aktualisht Nurnbergu gjendet në pozitën e nëntë me 31 pikë të tubuara.
E ardhmja e Bunjakut, në Nurnberg
Albert Bunjaku dëshiron të mbetet në Nurnberg. Sulmuesi kosovar luan që tri vjet e gjysmë në ekipin nga Bundesliga gjermane.
Aktualisht nuk kanë filluar bisedimet për vazhdimin e kontratës, por gjilanasi nuk brengoset shumë për këtë fakt. “Trajneri më ka thënë të mos brengosem”, thotë Bunjaku.