Bunkeri që duhet shkulur
Ilir Yzeiri
Para disa kohësh bashkë me dy gazetarë të Canal+ në Francë, Sebastienne dhe Didier realizuam një dokumentar të gjatë për Shqipërinë në kuadër të ciklit D… comme debrouille që u shfaq në muajin shtator të vitit që shkoi. Miqtë e mi që më parë ishin shumë të interesuar të shihnin bunkerët shqiptarë të famshëm tashmë si dëshmi dhe imazh i identitetit tonë në komunizëm. Ajo që i joshte më shumë ishte legjenda urbane që kishin dëgjuar ata se ndonjë prej këtyre bunjerëve mund të ishte transformuar apo shndërruar në hotel apo restorant. Meqenëse më duhej të gjeja ngjarjet dhe të përgatisja xhirimet për grupin që do të vinte, nisa të kërkoj bunkerë. Ngado që shkoja sidomos në fusha apo në bregdet gjeja shumë pak të tillë sepse një pjesë e madhe e tyre ishin eleminuar nga vetë banorët, një pjesë tjetër ishin mbuluar nga barërat dhe në ato vende ku ata ishin me shumicë nuk mund të shkoja sepse aty bunkerët nuk i hynin në punë askujt. Më thanë se po të shkosh në Kaptinë të Martaneshit mund të gjesh shumë të tillë. Në breg të Semanit ata i ka përpirë deti që po i afrohet me shpejtësi tokës.
Vetëm kur shkova në Gjirokastër dhe kur në mëngjes dola nga hoteli ku ishim vendosur, pashë poshtë fushën e Dropullit dhe aty dalloheshin breza berza bunkerë të vendosur si në formacion luftimi. Në vende të tjera ishte shumë e vështirë që të gjendeshin bunkerë sepse siç thashë ata ishin tretur apo humbur në rrjedhë të kohës. Më interesanit ishte bunkeri hotel e restorant në Rrushkull, të cilin një banor i zonës e kishte përshtatur dhe e kishte transformua në një resotrant hotel, sepse ai bunker ishte shumë i madh.
Joshja e miqve të mi kur panë atë bunkier të transformuar në një hotel/restorant ishte e jashtëzakonshme dhe ai u bë një nga personazhet e dokumentarit tonë. Më pas megjithëse përshkuam pothuajse gjithë Shqipërinë në vende të dukshme nuk pamë bunkerë siç shihnim dikur.
Mirëpo ja që kryeministri i Shqipërisë kujtohet përsëri për bunkerët dhe shpall se do ti prishë ata, se do të ndëramrrë nismën për shkatërrimin e tyre. kjo as më shumë e as më pak ngjet tamam tamam me luftën që nisi Don Kishoti me mullinjtë e erës. Bunkerët në fakt askush nuk i sheh dhe ata megjithëse na kanë kushtuar shumë dikur sot janë strukur diku në hije dhe nuk bezdisin askënd. Ata befas ringjallen në vetëdijen e sëmurë të kryeministrit tonë si shenjë e një njeriu të sëmurë që sheh ëndrra me armiq e bunkerë që kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të hapë një tematikë të re për llafollogjinë politike në vend. Kështu, kjo gjetje e re e kryeministrit tonë, pra nisma për të prishur bunkerët pason nismat e tij surealiste që ai i hedh në treg sa herë që e sheh se komuniteti ndërkombëtar po e hedh tutje si një bunker të ndërtuar keq dhe me një frëngji.