E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi në luftë

Andi Kananaj

Me Afganistanin, as që flitet. Afganistani që prej disa vitesh po rrezikon lirinë tonë; të shqiptarit të zakonshëm, atij në Kavajë, burrit dhe gruas në veri perëndim të Shkodrës, ish skafistit vlonjat, trimit nga Llogaraja, e bufit nga Devolli. Shteti i  Afganistanit me idenë e Vorio Afganistanit po rrezikon që me një sulm të beftë të zhdukë nga harta gjeodezike malin e Korabit, për të na vënë para turpit të një vendi shqiponjash me male si kodra. Sikur tw mos kishim malin e Ilir Metës në Jug për të mos u turpëruar. Sikur maja Ismet Sali Bruçaj tw mos ishte mjaft. Afganët janë të rrezikshëm, kanë qenë gjithmonë. Frika prej tyre është reale. Vetëm se nuk jemi treguar dhe aq seriozw në luftën ndaj kësaj race pervertësh kanibal hartash. Veten po e mbronim me vetëm 40 ushtarë(pak a shumë).

40 kundër 40

Koincidenca bën që kundërshtarë të luftës si koncept mund të jenë gjithë e gjithë 40 vetë. Nëse vë re konfigurimin në anën e ambasadorit amerikan ishin në apel të gjithë. Ishte pronari i qeverisë z Sali Pronari. Ishte Zhan D Ark i popullit të përzgjedhur të barcaletave në Shqipëri, Jozefina Jozefina Topalli. Nuk mungonin në keqardhje emrat e Neritan Cekës, Sami Matoshit, dietologes së Ardit Gjebresë. Në Shqipëri është e pabesueshme përshtatshmëria gati hipnotike në të njëjtin drejtim mendimi. Janë bashkë të majtë e të djathtë, burra më namuz e me mustaqe, komuniteti gay, myslymanë, body gardë apo politikanë, maratonomak dhe të ngadalshëm, byrazerë dhe matrapaz, të matshëm dhe të pa matshëm, samuraj me dokumenta apo me letra fallto, policë dhe letra gjobash. Të gjithë bashkë. Me një mendje. Lufta në emër të lirisë duhet luftuar. Dhe në fund nisim vetëm 40 ushtarë. Ushtarëve një epror në emër të lirisë i sekuestron gjysmën e pagesës për Hero, përpara nisjes. Kjo për tu siguruar se ushtari nuk niset në luftë vetëm për motive të dobta pagese. Eprori e harxhon më pas pjesën e tij  duke u ushqyer me pula, në dalje të Tiranës, diku rrugës së Elbasanit. Aty ëndërron për mrekullinë e  lirisë në Afganistanin armik. Eprori i ushqyer duket shume demokratik. Në përplasje me të 40 kundërshtuesit e luftës, janë bij komunistësh të padenjë për diskutim logjik.

Të varfër kundër të varfërve

Industria e luftës është një nga industritë që dhe historikisht është parë me sy tolerant. Historia e pushtimeve të mëdha, të perandorive ka patur në fusnotën e vet zhvillimin e rrugëve tregtare. Aleksandri i madh, Romakët, Bizantinët, Xhingis Kan, Napoleon Bonaparti, spanjollët, portugëzët, Spanjollët, Hollandezët, Anglezët gati gati emra të dashur, se dikur në mungesë të Tv dhe emalit dukej sikur eksportonin teknikat e zhvillimit. Historia nuk i fal, por historia është shkruar keq nga ata vete.

Nëse do të duhej të tregohej ajo që ka ndodhur, ngjarja nuk do të kishte lavdi. Pushtimet kanë sjellë fitime si në kohë e vjetra, ashtu dhe kohët moderne. Multinacionalet sot kryejnë funksionin e ushtarëve të tërbuar pas futjes në qytet, me ndryshimin që duke përdorur kontrata ri mëkëmbje gjithçka zgjat për vite me radhë. Vite më vonë pushtuesi duket sikur ka sjellë zhvillim, dhe harrohet se ka patur dorë të lirë në pasuritë e tua. Rezultati në fund është pak dashuri për vetën, duke e parë gjithmonë në pozicionin e të pa-aftit historik, dhe më shumë dashuri për pushtuesin. Kjo dashuri nuk lind nga premisa mazokiste të një populli të sëmurë, por nga lexim i censuruar i asaj që ka ndodhur në realitet.

Jemi në luftë

Vetëm se lufta jonë nuk duket. Ajo është e fshehur në mënyrën më të mirë. Nuk flasin për të politikanët, as gazetat e shumta nuk e shkruajnë. Ka një luftë të madhe por tek kjo luftë jemi bashkë me Afganët, amerikanët e periferive, grekët, turqit, italianët e jugut dhe kur janë në Veri, me veriun tonë dhe jugun e tyre. Jemi të gjithë bashkë, në luftë më jetën e vështirë.  Jemi bashkë në klasa sociale. Nuk jemi në luftë midis popujsh. Nuk ka qenë asnjëherë e tillë. Si popull kudo kemi qenë turma e padëshirueshme, që duhet vetëm të drejtohet në mënyrë inteligjente. Jemi në luftë midis atyre që kanë spitale, kanë shkolla, kanë hotelet me 5 yje, me ata që dhe aspirinat i marrin kur tashmë janë të skaduara. Jemi në luftë për lirinë, por lirinë nuk e kemi as vetë. Pabarazia ku jemi detyruar të jetojmë na bën heronj vetëm kur vritemi për interesat e tyre. Si ushtari Vogli, që vdiq i varfër në një vend që më parë nuk ekish kërkuar kurrë në globin që duhet ti ketë dhuruar gjyshja; me shpresën që djali i vogël i shëndetshëm ta shëtiste botën si turist, si ata të tjerët, si në filma. Ushtari Vogli u vra në luftën që si përkiste, nga njerëz që si ai do të niseshin në Shqipëri për tw luftuar nëse dikush do ti paguante aq sa për të mbijetuar. Nuk do të kërkonte shuma marramendëse, dhe pak do ti mjaftonin. Asgjë personale me kundërshtarin. Asgjë kundër dhe përhapjes së lirisë qoftë dhe me bomba. Jemi në luftë realisht, duket e ngadalshme por është aty, mjafton të hapim portofolin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›