E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një akuzë e ekzagjeruar

Preç Zogaj

Komisoni hetimor parlamentar i PD-s렠 ka ngritur një akuzë  të  pazakontë dhe të  pagjasë  në adresë të ish kryetari të KLD-së,  Kreshnik Spahiu, i cili  ishte subjekt i këtij hetimi. E  ka akuzuar sikur  ky  me doza të forta  populizmi dhe hipokrizie bëri përpjekje  të rrezikshme për të acaruar marrëdhëniet  me fqinjët.   Raporti nuk  përmend  konkretisht  për cilët  fqinjë  është fjala, por mediat kanë  identifikuar Greqinë. Do të thotë se për  qëndrimet  e tij  të njohura  në lidhje me  censusin Kreshnik Spahiu anatemohet si një antigrek .

Në kohën kur i ka bërë deklaratat kundër  regjistrimit etinik dhe fetar të popullsisë, duke e trajtuar censusin një interes dhe porosi greke,  Kreshnik Spahiu ka  qenë nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë . Njeherësh drejtues i lëvizjes Aleanca Kuq e Zi. Në atë kohë  deklaratat e tij  politike  mund të  kishin apo të prodhonin  efekte në rrafshin e politikës  së Shqipërisë  me fqinjët për shkak të postit të lartë  shtetëror që mbante. Ndërsa tani që ka dhënë dorëheqjen, ai e ka çliruar veten nga përkatësitë  e  natyrës shtetërore dhe  ka  zbritur me  kohë të plotë  në korsinë e një subjekti të mirëfilltë politik. Rrjedhimisht akuza  që ka formuluar Komisioni hetimor Parlamentar  është e vonuar dhe  ka bjerrë  kuptimin për këtë shkak.  Nuk ka ndodhur deri me sot që  Kuvendi  të  shprehet  në një dokument  zyrtar për  deklaratat e  subjekteve politike-shoqërore dhe  krerëve të tyre. As  kur deklaratat  kundër  politikave dhe qëndrimeve  greke  ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve  kanë qenë me të ashpra  se ato që  kanë dalë nga goja e Kreshnik Spahiut.

Akuzat e Komisionit Hetimor më duken të  çuditshme  jo vetëm për shkakun e mësipërm. Ato janë të ekzgjeruara në vetvete dhe pa një bazë logjike në kontekstin e pikpamjeve  që janë shprehur për censusin në Republikën e Shqipërisë.  Vetë grekët, jo me gojën e ndonjë  lëvizjeje  nacionaliste,  pra jo me retorikë, por  përmes  Athinës zyrtare kanë  folur me negativitet për  censusin.Poashtu  censusi është kundërshtuar në  pikën  e ndjeshme  të regjistrimit etnik edhe  nga partia  kryesore e minoritetit grek në Shqipëri.  Rezervat e grekëve dhe të shqiptarëve kontestues kanë qenë  simetrike  në kuptimin që secili grup  ka menduar se  do të përfitojë grupi tjetër.  Të parët  kanë patur merakun se mos  qeveria  shiptare,  për të kënaqur  nacionalistët,  do të  nxjerrë me pak  minoritarë grekë se sa janë  realisht  në Republikën e Shqipërisë.  Të dytët kanë patur  bindjen se e njëjta  qeveri do të nxjerrë më pak shqiptarë për të kënaqur grekët!  Të dy grupet   kanë qenë pra në një varkë në lidhje më kundërshtimin  e censusit, pavarësisht nga motivet e ndryshme. Në këto kushte nuk ka pikë  kuptimi të thuash se vetëm Kreshnik Spahiu me Aleancën Kuq e Zi   paska  rrezikuar acarimin e marrëdhenieve  me Greqinë. Çduhet të themi atëherë për Greqin렠 që ka qenë zyrtarisht kundër  regjistrimit dhe  ka shprehur zyrtarisht shgënjimin  e saj me  Tiranën?  Një trajtim  kaq i njënashëm  dhe për  më tepër i panevojshëm  i këtij problemi  tregon  shkallën e  lartë, deri vërbuese,  të politizimit  të hetimit parlamentar.

Ka shumë mundësi që akuza e Komisionit  për çfarë ka thënë  Spahiu  vitin e kaluar të jenë refleks  i deklaratave të  tij të këtij viti, tek  ka folur e po flet  për pazare të Berishës  me kreun e  Demokracisë  së re, Samaras,  duke nënkuptuar një marrëveshje të re për kufirin detar.  Por  akuza në fjalë  është e kërkuar dhe  e  ekzagjeruar  edhe në sfondin  e betejës për kufirin detar. Dihet se  kutinë e Pandorës për  marrëveshjen skandaloze  për detin e hapën të parët  dhe e çuan përpara me  vendosmëri  kolonel  Myslim  Pasha dhe gazeta Shekulli.  Partia Socialiste  në opozitë ndërmori hapin institucional të ankimimit të  marrëveshjes  në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë e rrëzoi atë marrëveshje dhe  tani askush, asnjë forcë nuk mund ta ringrejë  në variantin  para rrëzimit. Nevoja e një marrëveshjeje për kufirin detar me Greqinë, siç e kemi me  Italinë,   nuk është mohuar nga faktori institucional shqiptar. Ajo duhet të jetë një marrëveshje e drejtë, e mbështetur plotësish në standartet ndërkombëtare. Një gjë është gjithnjë e sigurtë taani e tutje.  Me argumentet e publikuara  Vendimi i Gjjykatës Kushtetuese  është  themeli  i palujtshëm ligjor nga  do të niset pala shqiptare, cilado qoftë dhe kurdoqoftë, në negociatat eventuale për  kufirin e ri . Kjo çeshtje nuk mund të trajtohet ndryshe.

Kryeministrit  mund ti ketë ardhur hidhur që ia rrëzuan marrëveshjen, por  fakti është se askush nga qeveria dhe shumica nuk  janë çmendur në atë shkallë sa   të akuzojë  Pashon, Shekullin, Partinë Socialiste apo Gjykatën Kushtetuese se po shkatërrojnë marrëdhëniet  me Greqinë.  Grekëve gjithashtu u ka ardhur hidhur, por  ata e dinë si funksionon demokracia dhe prandaj as ata nuk kanë kërkuar armiq në Tiranë, në opozitë.  Sëpaku nuk  e kanë demostruar. Dhe smund të ndodhë ndryshe. Interesat dhe pikpamjet e  larmishme   janë pjesë  e dialektikës së marrëdhënieve  mes vendeve.  Në vizionin  e mendjeve  të hapura  ato  trajtohen, përafrohen, por nuk janë një shkak  për acarimin  apriori të fqinjësisë.   Ca më pak për prishjen e saj. Kjo aksiomë vlen për  grekët, vlen për shqiptarët që  mbrojtën detin nga grabitja, për  shqiptarët  çamë që kërkojnë të drejtat e  tyre të ligjshme të pronësisë  në territorin e republikës greke, për gjithë ata që kanë  kanë kundërshtuar censusin, pavarësisht a kanë patur apo jo të drejtë.

Pse ateherë kjo akuzë  shproporcionale për kreun e Aleancës Kuq e Zi që po bëhët subjekt politik?  Mos  kemi të bëjmë më një sulm kundër lirisë së shprehjes  duke përdorur një sebep  pa lidhje dhe duke i dhënë retorikës një status që nuk e ka?  Mos nuk kanë asnjë gjë serjoze për të thenë për punën  e Spahiut si ish-nënkryetar i  KLD-së dhe tani duan të mbulojnë bllofin me komisioni hetimor?  Mos  nuk e trajtojnë dot krizën e tmerrshme të sistemit të drejtësisë dhe tani duan ti  hedhin  publikut hi syve duke  zbuluar  armiq të vendeve fqinje? Mos  vallë mendojnë se  kështu do ti bëjnë dëm Spahiut , duke ecur me mendimin se,  sidomos sot në kohën e hapjes dhe integrimeve,  asnjë karrierë e sukseshme nuk mund të ndërtohet mbi armiqësinë me fqinjët?  Të jenë kaq të cekët vallë?   Të shohim. Vetë Spahiu, me shumë se sa të shqetësohet, ka arsye të fërkojë për medaljen e antigrekut  duart sepse në politikë, nganjëherë,  akuzat   e çoroditura  të kundërshtarit  janë  një peshqesh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›