E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat për nëntë të arrestuarit për trafik droge

Gjykata e Beratit ka dhënë masën e sigurisë “Burg pa afat” për nëntë të arrestuarit e aksionit anti drogë të kapur në një operacion mbrëmjen e tri ditëve më parë. Akuza që rëndon ndaj 9 të arrestuarve është trafikim dhe shitje droge në bashkëpunim 

BERAT- “ Burg pa afat” kjo është masa e vlerësimit që Gjykata e Faktit në Rrethin e Beratit ka vendosur për nëntë të arrestuarit e aksionit anti drogë koduar “Kali i Tronjës” . Në një nga ditët jo të zakonshme të punës organi gjykues ka zhvilluar plotë nëntë seanca gjykimi për të arrestuarit e tre ditëve më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Seancat në ngarkim të tyre kanë nisur që në orët e para të ditës së sotme për të vazhduar deri në orët e pasdites ku nën masa të rrepta sigurie kanë mbërritur njëri pas tjetrit nëntë të akuzuarit. Përfaqësuesi i organit të akuzës Erio Braho ka ngritur akuzat për të arrestuarit, ndërkohë që seancat gjyqësore janë drejtuar nga kryetari i trupit gjykues Eriol Roshi. Do të përballen kështu me akuzën nëntë të akuzarit: Rael Dardha, 29 vjeç, Markel Gjika, 21 vjeç, Avenir Kuqali, 31 vjeç, Skerdian Xhufi, 26 vjeç, Dhimiter Boçe, 36 vjeç, Erion Karadaku, 33 vjeç, të gjashtë banorëve të qytetit të Beratit, si dhe tre vlonjatët Ridvan Kote, 36 vjeç, Olsi Dautaj, 26 vjeç, dhe Olsi Metolla, 25 vjeç. Prokurori i çështjes Braho mësohet se i ka kërkuar trupit gjykues gjatë zhvillimit të seancave cilësimin e ligjshëm të arrestimit dhe vendosjen e masës së sigurisë me “ burg pa afat”. Sipas përfaqësuesit të akuzës ndaj nëntë të akuzuarve rëndojnë një sërë provash dhe faktesh për përfshirjen e një trafikimi droge në bashkpunim. Kryetari i trupit gjykues Roshi pasi dëgjoi fjalën e akuzës vendosi të cilësojë si të ligjshëm arrestimin dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” duke i dhënë kohë kështu prokurorisë për të vazhduar hetimet.
Të nëntë personat u arrestuan mbrëmjen e tre ditëve më parë në hyrje të qytetit të Beratit ndërsa ishin duke u konfliktuar për pazarin e një sasie droge. Në momentin e arrestimit atyre ju sekuestrua një sasi prej 190 gram heroinë, 13 telefona celularë, dy mjete dhe një sasi të hollash.

(O.Zh, BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›