Myzeqeja mbytet me ujë, dëme në të mbjella dhe sera
FIER- Gjatë natës së mbrëmshme, qarku i Fierit është përballur me një mot të keq, i shoqëruar me erë të fortë dhe shi të rrëmbyeshëm. Stuhia ka shkaktuar dëme në të mbjella, ndërkohë që shumë zona të rrethit të Fierit kanë qenë të izoluara nga uji. Të izoluara nga uji i shiut kanë qenë mjaft fshatra si dhe rrugët e brendshme të qytetit të Fierit. Uji nuk ka munguar edhe në bulevardet kryesore të Fierit, ku pusetat dhe ujëmbledhësat janë bllokuar e për pasojë mëngjesin e së shtunës qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve ka qenë i vështirë.
Banorët e komunës së Portzës, Levanit, Zharrzës si dhe Topojës kanë treguar se tokat e tyre janë bllokuar nga uji i shiut. Kanalet kulluese dhe vaditëse të këtyre fshatrave nuk arrinin të mblidhnin më ujë si shkak i bllokimit të tyre. Ndërkohë që me dhjetëra banesa po në këto fshatra janë prekur në oborret e tyre nga uji me intesistet, pasi në to mungon totalisht sistemi i kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha.
Banorët të tregojnë se situata përsëritet sa herë që bie shi i madh. Por kryekomunarët e Portzës e Zharrzës kanë thënë se “mungesa e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha kërkon fonde”. “Ne kemi projekt të gatshëm të cilin e kemi prezantuar edhe në qeveri, por presim fondet për ta realizuar.
Me të ardhurat e komunës ndërhyjmë në infrastrukturë .Të ardhurat që sigurojmë nuk na mjaftojnë që të ndërhyjmë edhe në sistemin e kanalizimeve”- ka thënë Taulant Grëmbi kryetar i komunës Zharrëz në rrethin e Fierit.
Kurse në rrethin e Lushnjës dëme moti i keq ka shënuar tek fermerët. Këtyre u janë dëmtuar shumë të mbjella, ndërsa sipërfaqe të mëdha me sera janë dëmtuar në plastmas dhe profile.
(O.Zh/ BalkanWeb)