E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për 51 vjeçarin: Nuk mbaj mend si e vrava nënën

Dëshmi befasuese, Lefter Pashaj thotë se është i sëmurë

dhunaDurrës/Është lënë në burg, 51 vjeçari Lefter Pashai nga Durrësi, disa ditë më parë masakroi në gjendje depresive nënën e tij të moshuar me mashën e sobës e me mjete të tjera të forta. Prokurorja e akuzoi për vrasje me paramendim të nënës së tij 75-vjeçare, por djali i ka befasuar të gjithë dje në sallën e gjyqit, kur është shprehur se nuk mbante mend asgjë, pasi vuan nga sëmundje mendore për të cilën kurohet dhe se i kujtohej vetëm momenti kur e moshuara e kishte fyer dhe goditur. Madje jo vetëm kaq, pasi 51-vjeçari Lefter Pashaj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, i kërkoi gjyqtarit të gatshëm të Gjykatës së Durrësit, që ta lironte dhe ai të shkonte tek tre fëmijët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Pasi prokurorja e çështjes Anila Jella lexoi aktet në dosje duke shpjeguar kronologjinë e ngjarjes, kur është pyetur nga gjyqtari Tritan Hamitaj nëse pranonte akuzën e vrasjes së Mejreme Pashaj, i dyshuari përsëri ka befasuar.
Dëshmia
Nuk mbaj mend. Por meqë ju po e thoni se unë kam vrarë nënën time, ashtu duhet të jetë, ka thënë 51-vjeçari. Pavarësisht pretendimit të tij, gjyqtari i gatshëm dha masën e sigurisë arrest me burg dhe për momentin mbetet në fuqi akuza e prokurorisë për vrasje me paramendim. Por prokurorja e çështjes nuk kundërshtoi kryerjen e ekzaminimeve psikike për Lefter Pashaj, pasi konfirmohet se ai kurohej me medikamente për depresion nervor dhe për të kujdesej nëna 75-vjeçare. Nënë e bir jetonin prej më shumë se një viti së bashku në fshatin Kullë të Durrësit.
Lefter Pashaj është shfaqur i qetë, kokulur dhe i paditur për atë që kishte ndodhur. Po më thonë se kam vrarë nënën time, por unë nuk mbaj mend asgjë. Jam i sëmurë dhe kurohem me ilaçe. Nuk më kujtohet asgjë përveç faktit se ajo më goditi në fytyrë. Duhet të kemi bërë ndonjë sherr të kotë. Por meqë thoni ju, ashtu duhet të jetë. Unë dua të dal. Më lini të shkoj tek fëmijët e mi në Greqi, është shprehur 51-vjeçari. Kurse prokurorja përveç akteve paraqiti si prova materiale nga vendngjarja dhe gjurmë gishtërinjsh e njolla gjaku të viktimës në trupin e të dyshuarit.
Ekspertiza
Sipas ekspertizës së kryer, Pashaj ka goditur me sëpatë në kokë të moshuarën 75-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Kurse shkak deklarohet grindja për paratë e pensionit. I dyshuari ia kërkonte nënës dhe donte të ikte tek fëmijët në Greqi. E moshuara kishte shtatë fëmijë, ndërsa 51-vjeçarit i kishte vdekur bashkëshortja para një viti dhe për të kujdesej e ëma. Avokati mbrojtës kërkoi që të jepej një masë më e lehtë sigurie se sa burg pa afat, por gjykatësi Tritan Hamitaj e ka lënë deri në fund të hetimeve në burg. Ndërsa iu hap rruga kryerjes së një ekzaminimi psikik për gjendjen mendore të të arrestuarit.

Shkaku

Shkak i krimit mendohet se ka qenë grindja për lekët e pensionit që i dyshuari ia kërkonte nënës 75-vjeçare. Kjo e fundit ka refuzuar dhe Lefteri e ka goditur disa herë në kokë për vdekje. Viktima kujdesej prej më shumë se një viti për djalin e sëmurë mendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›