Burgaj pezullon Erzen Breçanin, dhunoi kameramanin e Top-Channel
Tiranë- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pezullon nga detyra Erzen Breçanin, numrin dy të Policisë së Tiranës, pas incidenteve të ndodhura dhe denoncimit nga një prej kameramanëve të televizionit Top-Channel për dhunë fizike. Firma është hedhur dje dhe zyrtari i policisë humbet funksionin deri në sqarimin e ngjarjes dhe përfundimin e hetimeve. Pas presionit me protesta dhe deklarata nga shoqëria civile, është marrë dhe vendimi për këtë masë disiplinore deri në verifikimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e saj. Lajmi konfirmohet nga vetë Policia e Shtetit, e cila dha një njoftim për mediat me anë të zëdhënëses Laura Totraku. Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni Top-Channel, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, ditën e sotme (dje), rreth orës 14:00, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra ndaj Zv/Drejtorit për Sigurinë Publike të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore, thuhet ne njoftimin zyrtar. Nuk jepen hollësi se si do të veprohet më tej, por bëhet me dije se masa ka ardhur menjëherë pas denoncimit publik nga media. Policia e Tiranës përgënjeshtroi të hënën pretendimet e kameramanit, duke thënë se nuk ishte ushtruar dhunë dhe se kameramani nuk ishte identifikuar, teksa u shoqërua vetëm për 8 minuta në ambientete komisariatit. Por kjo nuk bindi median që paralajmëroi një protestë ndaj dhunës së policisë. Breçani u emërua vitin e kaluar nga Burgaj si nëndrejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike në kryeqytet, detyrë që mbante deri ditën e djeshme, para se të pezullohej.