E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentet e Himarës kërkojnë dëmshpërblim: Do hidhemi në grevë urie

AKSIDENTI-HimareKa kaluar afro një vit që nga tragjedia e Himarës dhe studentet e mbijetuara nga aksidenti tragjik nuk kanë marrë asnjë lloj dëmshpërblimi. Dje 26 vajzat kanë reaguar duke denoncuar skandalin e refuzimit të dëmshpërblimeve nga kompania e sigurimeve SIGMA, që u detyrohet 150 milionë lekë në total, ndërsa paralajmëruan nisjen e protestave dhe grevës së urisë. Të mbledhura para Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, ditën e djeshme, grupi i vajzave që i shpëtuan vdekjes, lexuan një deklaratë drejtuar institucioneve shtetërore të vendit. Letra u lexua nga studentja Blerina Çereni, e cila theksoi se prej muajit shtator të vitit të kaluar kur janë dorëzuar dosjet, kompania SIGMA iu ka refuzuar dëmshpërblimet që iu takojnë për të ndjekur kurat e terapive mjekësore, duke kërkuar të tjera dokumentacione. Në apelin e tyre, 26 studentet iu drejtuan për ndihmë qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, që të ndërhyjnë për zgjidhje të shpejtë dhe ligjore. Në të kundërt ato paralajmëruan nisjen e protestave dhe më tej masën ekstreme të grevës së urisë.
Kanë kaluar 11 muaj nga aksidenti i ndodhur në Qafën e Vishës në Himarë, dhe nuk kemi marrë asgjë. Kompania e sigurimeve na detyrohet 1,5 miliardë lekë të vjetra. I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe kryeministrit, ta shohin me rigorozitet çështjen, pasi kemi nevojë për paratë, me qëllim që të ndjekim kurat e nevojshme, tha studentja Çereni, një prej të mbijetuarave. Më tej sqarohet për mediat se dosjet e të gjitha vajzave të mbijetuara që u kuruan për plagë të ndryshme nga aksidenti tragjik, janë dorëzuar sipas rregullave. Në muajin shtator, sipas procedurave, kemi mbyllur dosjet në kompaninë e sigurimeve. Por kur prisnim të merrnim dëmshpërblimet, kompania zvarrit çështjen dhe na kërkon vërtetime shtesë dhe ekspertiza mjeko-ligjore aktuale, apo pretendon mangësi. Kompania nuk po plotëson detyrimet që ka, shprehen vajzat. Të 26 studentët paralajmërojnë protesta dhe greva urie në rast të mos zgjidhjes së problemit. Vajzave iu premtua dëmshpërblimi për ndjekjen e kurave me qëllim riaftësimin e plagëve pas aksidentit dhe trajtimin terapeutik për të kaluar shokun e përjetuar nga tragjedia. Vajzat pretendojnë se u takojnë në total 150 milionë lekë të reja dhe për të zgjidhur problemin me kompaninë private, tashmë kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore.

Ngjarja, aksidenti tragjik mori jetën e 13 vajzave
Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e 21 majit 2012 në Himarë, vendi i quajtur Qafa e Vishës, pranë Vunoit, aksi kombëtar Vlorë-Himarë. Një ekspeditë studentësh me dy autobusë të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, të degës Gjuhë-Letërsi, ishin nisur për udhëtim drejt Sarandës. Një prej autobusëve, në defekt teknik dhe pakujdesi të drejtuesit, del tek kthesa e rrezikshme dhe përfundon në një humnerë prej të paktën 50 metrash. Në mjet ishin 39 persona, nga të cilët shoferi dhe i fejuari i një prej studenteve dhe të tjerat ishin të gjitha vajza studente. Për pasojë mbetën të pajeta 11 studente, drejtuesi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej vajzave, ndërsa u plagosën 26 të tjerat, nga të cilat katër në koma. Dy prej vajzave patën nevojë për trajtim jashtë vendit dhe u dërguan në Austri, ku dolën nga gjendja e komës dhe u rikthyen në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›