E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Burg përjetë” për autorët e vrasjes së anglezit Craythorn

Dy “burgime të përjetshme” për dy të pandehurit e akuzuar për vrasjen e 21-vjeçarit Eduard Craythorn. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Lezhës, duke lënë në fuqi në këtë mënyrë kërkesën e organit të akuzës. Në sallën e gjyqit kanë qenë të afërmit e viktimës Craythorn, të cilët e kanë përjetuar me lot në sy çdo seancë gjyqësore të zhvilluar për vrasjen e djalit dhe vëllait të tyre. Teksa dëgjonin arsyetimin e vendimit nga togat e zeza dhe rrjedhën e ngjarjes ku mbeti i vdekur djali i tyre, gjendja ka qenë e njëjtë, gjatë gjithë seancës duke qarë. Qanin për faktin se djali i tyre u vra vetëm për një varëse floriri. Ndërkohë që pak ditë më parë ishte akuza që gjatë pretencës kërkoi dënimin e dy të rinjve, Mario Pjetrushaj dhe Arlind Vukaj, me dënimin maksimal, ndërkohë që njëri prej tyre po atë seancë deklaroi se ishte i pafajshëm, ndonëse qysh në momentet e para kishte pranuar bashkautorësinë. Burime zyrtare nga Gjykata e Lezhës thanë se gjatë seancës së djeshme gjyqësore, trupi gjykues i kësaj çështjeje dha vendimin për dy të rinjtë që grabitën, vranë dhe fshehën viktimën në Shëngjin të Lezhës, ndërkohë që vendimi është pritur në heshtje nga dy të pandehurit. Dy të pandehurit Mario Pjetrushaj dhe Arlind Vukaj akuzohen për vrasjen e anglezit Eduard Craythorn në Shëngjin të Lezhës, ngjarje e ndodhur më 2 shkurt të këtij viti. Prokurori i çështjes, Arben Agolli, ka paraqitur fakte nga hetimet dhe përgjimet e kryera ndaj 2 të akuzuarve, të cilët rezultojnë të jenë së bashku të inkriminuar, duke deklaruar se Mario Pjetrushaj dhe Arlind Vukaj janë bashkautorë të grabitjes me pasojë vdekjen e shtetasit Eduard Craythorn. Duke iu referuar fakteve të paraqitura dhe provave të mbledhura, prokuroria ka kërkuar “burgim të përjetshëm” për 2 akuza, atë të “vjedhjes me pasojë vdekjen e një shtetasi” dhe “fshehjes së provave”.

Denoncimi

Që pas zhdukjes së të vëllait, vajza e cila ishte divorcuar para pak kohësh me një emigrant shqiptar, që jetonte në Angli, do të bënte përgjegjës këtë të fundit për zhdukjen e Eduardit. Por ish-bashkëshorti i saj do të pohonte në polici se nuk ka qenë fare në dijeni të zhdukjes së djalit, madje as që e dinte se Eduardi kishte ardhur përsëri në Shqipëri këtë herë. Megjithatë, Ajlin dhe Sofi, të gjendura të vetme në vendbanimin e ri pas braktisjes së Britanisë së Madhe, iu drejtuan redaksisë së “Njerëz të humbur” dhe fillimisht historia e djalit u prezantua si rast urgjent me mendimin se largimi i tij i pazakonshëm nuk do të zgjaste shumë. Por, enigma e zhdukjes së tij do të zgjaste edhe për disa ditë, derisa 21-vjeçari do të gjendej mbrëmjen e së martës pa jetë në fund të një pusi. Menjëherë pas kësaj, policia ka zbuluar edhe të dyshuarit për vrasjen. Ajo u ka gjetur dy të rinjve një shufër hekuri, me të cilën mendohet të jetë kryer krimi dhe një byzylyk floriri të viktimës. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri banal. Trupi u gjet në fund të një pusi. Ka qenë ora 17:30 e së martës së 19 shkurtit, kur dy adoleshentë, të cilët po kullosnin bagëtinë në afërsi të një banese të braktisur prej 15 vitesh në fshatin Mal Shëngjin, kanë ndier një erë të rëndë. Sipas të dhënave të policisë, që atë natë u mësua se nga kureshtja, fëmijët kanë filluar të kryejnë edhe kontrollin se nga vinte era e rëndë dhe për këtë i janë afruar edhe pusit, i cili ndodhej në oborrin e ndërtesës. Me t’u afruar pranë grykës së pusit, fëmijët kanë hequr një kapak, që ishte vendosur mbi të dhe kanë dalluar në thellësi të tij afërsisht 5 metër një pjesë të trupit të një njeriu, si dhe kokën e tij, përmbys mbi ujë. Menjëherë të trembur ata kanë lënë bagëtitë që kullotnin dhe kanë vajtur në shtëpitë e tyre, duke iu treguar edhe familjarëve, të cilët kanë mbërritur edhe ata tek banesa e braktisur. Më pas, ata kanë lajmëruar menjëherë prindërit dhe këta të fundit policinë. Kjo e fundit ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka filluar me këqyrjen e kufomës. Nga të dhënat e para të policisë së Lezhës, mësohet se për shkak të dekompozimit nuk është bërë i mundur identifikimi. Megjithatë, ekspertët kanë përcaktuar që në fillim se bëhet fjalë për një mashkull.

Eduardi erdhi të vizitonte Shqipërinë

Nga dëshmitë e vetë nënës së Edit, Ajlinit, prezantuar në emision, ajo jetonte së bashku me djalin e saj, Eduardin dhe tri vajzat e saj në Britaninë e Madhe. Njëra nga vajzat, Sofia, dashurohet me një shtetas shqiptar, Edmondin, martohet me të dhe në vitin 2004 vjen të jetojë në Shqipëri. Po në këtë vit, nëna e Eduardit vjen të jetojë së bashku me vajzën në Shëngjin, ndërsa Edi së bashku me dy motrat e tjera jetonin në Angli. Në muajin tetor të vitit 2007, Edi vjen në Shëngjin, për të vizituar nënën e tij dhe do të largohej drejt shtetit anglez në datën 4 shkurt të vitit 2008. Në Angli, Edi punonte si ndihmës në transportin e mobilieve nga njëra magazinë në tjetrën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›