E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi; Kërkesa e belgëve, gjykata jep “ok”-in për ekzekutimin e letër-porosisë

Gjykata e Krimeve të Rënda është shprehur pro kërkesës së organit të akuzës për ekzekutimin e një letër-porosie për llogari të drejtësisë belge për shtetasin Agim Shëngjoni. Vendimi është marrë dje nga gjyqtarja që shqyrtoi kërkesën, ndërkohë që dy seancat e mëparshme kanë qenë vetë përfaqësuesit e drejtësisë, konkretisht 6 ekspertë belgë, që kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë marrë pjesë në seanca për të grumbulluar provat, me të cilat do vijojë gjykimi në mungesë për këtë shtetas. Ekspertët kanë marrë gjurmët e gishtave të Shëngjonit, do i bëhet analiza e ADN-së, si dhe kanë bërë kontroll në banesën e Shëngjonit, ku janë sekuestruar disa objekte, mes të cilave edhe laptop-i personal i të pandehurit. Ndërkohë që në Belgjikë gjyqi do zhvillohet në mungesë, në vendin tonë ky shtetas është duke u gjykuar për “trafik armësh”, konkretisht të tre pistoletave, të cilat i nisi vetë nga Holanda me identitet të rremë dhe i priti më pas në postën e Elbasanit. Sot pritet që gjykata të japë vendimin për këtë shtetas.

Vendimi

Trafiku i drogës, 10 vjet burg për Vasil Shabanaj

Akuzohet për trafik lëndësh narkotike, dënohet përfundimisht me 10 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vendimi është shpallur dje nga togat e zeza të kryesuara nga Luan Hasneziri, i cili dha si masë dënimi po të njëjtën që kërkoi edhe prokurori Dibra një seancë më parë. I pandehuri Vasil Shabanaj, i njohur edhe me emrin Dritan, akuzohet për një sasi prej 98 kg lënde narkotike, e cila kishte destinacion trafiku brigjet italiane. Bëhet fjalë për një nga pjesëtarët e arrestuar në kuadër të operacionit “Karaburun”, ku u arrestuan 17 pjesëtarë, ndërkohë që i pandehuri Vasil Shabanaj kishte mundur të largohej. Për këtë sasi droge, e cila kalonte me skafe apo gomone drejt Italisë u arrestuan mjaft shtetas të tjerë, mes të cilëve edhe një italian.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›