E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gjirokastrës, 9 të arrestuar nga policia

Policia e Shtetit ka arrestuar 9 persona, të cilët konsiderohen përgjegjës për tragjedinë e ndodhur në Gjirokastër, ku nga shembja e një pallati 5-katësh, humbën jetën 3 persona. Në prangat e policisë kanë rënë drejtuesit e firmës përgjegjëse të punimeve, “Arti” sh.p.k., si edhe punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës, të cilët lejuan fillimin e punimeve, pa respektuar rregullat e sigurisë. Gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit, ndërsa tre të tjerë janë vënë në pranga në bazë të urdhrit të prokurorit. Ndërkohë në kërkim nga agjentët e policisë është bashkëpronari i firmës ndërtuese, Aristotel Haxhi, për të cilin është shpallur një urdhër-arresti dhe ai po kërkohet në të gjithë vendin. Sipas burimeve të policisë, të gjithë personat e vënë në pranga konsiderohen përgjegjës për tragjedinë e ndodhur në lagjen “11 janari” në Gjirokastër, ku si pasojë e shembjes së një pallati, humbën jetën 3 persona.

Të arrestuarit

Pas hetimeve paraprake të kryera, Policia e Shtetit nisi një aksion për të vënë në pranga të dyshuarit si shkaktarë të kësaj ngjarjeje. Vetëm disa orë pasi ndodhi ngjarja, në prangat e policisë ranë dy projektuesit e firmës “Arti” sh.p.k., Luan Bufi dhe Njazi Çobani. Gjithashtu në komisariat disa orë pas ndodhjes së tragjedisë u shoqëruan rreth 12 persona. Më pas ditën e djeshme, në pranga u vunë edhe shtatë persona të tjerë, të dyshuar si përgjegjës për ngjarjen. Ndërkohë bashkëpronari i firmës, Aristotel Haxhi, është shpallur në kërkim. Tre të dyshuar janë vënë në pranga në bazë të kërkesës së prokurorisë, ndërsa gjashtë të tjerë janë arrestuar në flagrancë nga uniformat blu. Në pranga ranë Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër, e Afërdita Papamihali, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, të cilët akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Personat e tjerë të arrestuar nga policia akuzohen për “shkelje të rregullave në punë”. Ata janë Thanas Llahana, inxhinier gjeolog, Jani Ndrico, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k., Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Luan Bufi, me profesion inxhinier ndërtimi i “Arti” sh.p.k., dhe Sotiraq Janora, i datëlindjes 15.02.1965, lindur dhe banues në Gjirokastër me kombësi greke e shtetësi shqiptare, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti”. Alfred Mamani, me detyrë shef i urbanistikës në bashkinë e qytetit, akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ditën e djeshme u vu në pranga edhe Gjergji Mece, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit, ndërsa po tentonte të largohej.

Hetimet

Sipas hetuesve, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë shkarja e dheut, e cila ka ardhur si pasojë e hapjes së themeleve të një pallati tjetër, ngjitur me atë të shembur. Punimet e pallatit po bëheshin nga firma ndërtuese “Arti” sh.p.k. Sipas burimeve të policisë, hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të firmës “Arti” dhe marrëdhëniet me Zyrën e Urbanistikës dhe KRRT-në e bashkisë së qytetit vazhdojnë në mënyrë intensive. Prokuroria ka kërkuar arrestimin e punonjësve të bashkisë, përveç atyre të firmës, të cilët dyshohen si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur. Deri tani janë arrestuar 9 persona. Akuzat me të cilat ata do të përballen janë “shpërdorim i detyrës”, si dhe “shkelja e rregullave të punës”.

Të arrestuarit e tragjedisë së Gjirokastrës

Me urdhër të prokurorisë së rrethit

1. Admir Shehaj, i datëlindjes 05.08.1978, lindur në Dibër dhe banues në Gjirokastër, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

2. Afërdita Papamihali, e datëlindjes 06.11.1952, lindur e banuese në Gjirokastër, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, e cila akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

3. Thanas Llahana, i datëlindjes 13.07.1950, lindur e banues në Gjirokastër, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, inxhinier gjeolog që akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i K.Penal.

Të arrestuar në flagrancë nga policia

4. Alfred Mamani, i datëlindjes 30.10.1959, lindur e banues në Gjirokastër, shef i Urbanistikës në bashkinë e qytetit për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

5. Jani Ndrico, i datëlindjes 12.05.1963, lindur e banues në fshatin Dervician, Gjirokastër, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k., i cili akuzohet për veprën penale “shkelje të rregullave në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i K. Penal,

6. Njazi Çobani, i datëlindjes 18.04.1963, lindur dhe banues në Gjirokastër, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i K. Penal,

7. Luan Bufi, i datëlindjes 04.09.1950, lindur në Delvinë dhe banues në Gjirokastër, me profesion inxhinier ndërtimi i “Arti” sh.p.k., akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i K. Penal,

8. Sotiraq Janora, i datëlindjes 15.02.1965, lindur dhe banues në Gjirokastër me kombësi greke e shtetësi shqiptare, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., i cili akuzohet për veprën penale “shkelje të rregullave në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i Kodit Penal.

9. Gjergji Mece, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k. dhe Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

Gjirokastër, prefektura, ndihma familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit

Prefektura e Gjirokastrës shpërndau ditën e djeshme nga 50 mijë lekë për çdo familje të dëmtuar nga shembja e pallatit 5-katësh në lagjen 11 janari.

Sipas prefektit Spiro Ksera, kjo ndihmë ishte grumbulluar nga biznesmenët e qarkut për të ndihmuar të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi. Ndihmën e Prefekturës e përfituan banorët e 15 familjeve të pallatit. Pesë apartamente të tjera kishin qenë të mbyllura dhe pronarët e tyre ndodhen në emigracion.

Familjarët e prekur nga tragjedia e së dielës përfituan ndihma edhe nga Bashkia e Gjirokastrës, një fond i qeverisë shqiptare që shpërndahet nga bashkia. Sipas burimeve, shuma për çdo person është rreth 20 mijë lekë. Pas shembjes së pallatit humbën jetën tre persona, ndërsa mbetën pa strehë rreth 15 familje. Ndaj familjeve të prekura u morën masa për strehimin e tyre, si dhe për plotësimin e kushteve të nevojshme për të jetuar.

Ekspertiza, viktimat kanë humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë deklaruar se shkak i humbjes së jetës nga tre viktimat e tragjedisë së Gjirokastrës janë goditjet e marra dhe asfiksia. Mbrëmjen e djeshme përfundoi autopsia mjeko-ligjore e tre trupave të pajetë. Sipas të dhënave, shkaku i vdekjes së të moshuarës 65-vjeçare Parashivi Zoto, kanë qenë goditjet e marra gjatë shembjes së pallatit. Ndërsa për Valbona Dalanin, shkak i vdekjes kanë qenë goditjet e marra, por edhe asfiksia që ajo ka pësuar nën rrënoja. Edhe e bija e saj, Anxhela Dalani, 13 vjeç ka pasur të njëjtin fat si nëna, ku shkak i vdekjes kanë qenë goditjet e marra dhe asfiksia nën rrënoja, i cili ishte dhe shkaku kryesor i vdekjes së tyre. Nga ekspertiza nuk bëhet e ditur ora e saktë e vdekjes së tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›