E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: 1 mijë policë më shumë në 2012

TIRANE- Viti 2012-të duket se do të jetë një vit kthese për Policinë e Shtetit. Patrulla e Përgjithshme do të ketë edhe 1 mijë policë më shumë. Lajmi u konfirmua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Hysni Burgaj. Sipas Burgajt, shtimi i numrit të punonjësve të patrullës së përgjithshme, vjen në kuadër të strategjisë për parandalimin e krimit dhe faktit që çdo ditë e më shumë policia po tenton të jetë sa më pranë komunitetit.

Kryepolici theksoi se nisma për të shtuar numrin e efektivëve të policisë erdhi si nevojë e faktit se në shumë zona, numri i tyre ishte shumë i paktë. Madje ka shumë qytete të vogla, si dhe zona rurale, ku efektivët e policisë detyrohen të shërbejnë vetëm qoftë dhe në turnin e tretë, çka nuk është normale në situatën ku jemi. “Sensibilizimi i opinionit do të jetë sfida jonë për vitin që vjen. Do të ndërmarrim të gjitha masat e duhura me qëllim parandalimin e krimeve dhe të jemi më pranë komunitetit”, tha z.Burgaj. Sa i përket ngjarjeve të Klodiana Lala bujshme, si vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, ajo e gjykatësit vlonjat Skerdilajd Konomi apo dhe të tjera, drejtori i policisë tha se po punohet intensivisht, por nuk mund të bënte të ditura detaje të mëtejshme, për shkak se çështjet janë komplekse dhe do të prishej sekreti hetimor.

STRATEGJIA
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dha lajmin e mirë se në 2012-tën radhët e policisë do të shtohen. Sipas tij, efektivë të patrullës së Përgjithshme, do të qëndrojnë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari, si dhe për të parandaluar krimet. Për kryepolicin Burgaj, shtimi i numrit të efektivëve të patrullës së Përgjithshme, pritet të ketë impakt pozitiv në komunitet, për faktin se policët do të jenë të pranishëm në kohë rekord dhe çdo problemi do t’i jepet zgjidhje. I pyetur nga mediat për zbardhjen e ngjarjeve të bujshme, Burgaj theksoi se janë ngjarje që kërkojnë kohë për t’u zbardhur, për shkak të kompleksitetit të tyre. “Ne si polici kemi zbardhur ngjarje të vjetra, si vrasje të 1997-tës dhe natyrisht po punojmë për zbardhjen e këtyre ngjarjeve, që për hir të së vërtetës përbëjnë dhe sfidën tonë. Hetimet kanë dhënë rezultate të reja, të cilat nuk mund t’i bëj publike”,- tha ai. Por ndërkohë, nuk mund të lëmë në harresë dhe ngjarje të tjera, që në pamje të parë duken të lehta, por rëndojnë në komunitet. Ndërkaq, z.Burgaj nuk nxori jashtë vëmendjes dhe personat e liruar nga gjykata apo prokuroria, të cilët ishin vënë në pranga për akuzën e vrasjes apo krime të tjera të rënda. “Kemi bërë disa arrestime personash të dyshuar për vrasje, të cilët më pas janë liruar. Ne kemi pasur bindjen se ata janë autorët e ngjarjes dhe pavarësisht faktit se janë të lirë, do të hetojmë. Lirimi i të dyshuarve na e bën më të vështirë punën”,- tha kryepolici. Policia e shtetit, pritet që të fillim të 2012-tës të bëjë dhe analizën vjetore, ku dhe do të bëjë bilancin e punës së saj.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›